Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, e ftuar në emisionin “Këndi i Ekselencës” në News24, komentoi thirrjet e ish-kreut të LSI-së Ilir Meta për armatosje të popullit nëse prekej vota.

E pyetur nga studentët, Gjosha tha se kjo deklaratë erdhi pas thirrjeve të kryeministrit Edi Rama drejtuar policisë së shtetit për të bërë fushatë për Partinë Socialiste pas pune.

“Kjo ka qenë retorikë pas thirrjes së kryeministrit për policinë e shtetit që të marrin pjesë në fushatë për PS-në. Nuk është çështje falje. Kryeministri duhet të sigurojë votën e lirë të çdo qytetari, që nis me policinë e shtetit, sidomos në ditë fushate ku tensioni është më i madh. Kjo është e jashtëligjshme. Qytetari duhet të vetëmbrohet nëse s'e mbron shteti”, tha Gjosha.

Ministrja e LSI-së foli edhe për përfshirjen e Metës në fushatë, i cili ka marrë sërish protagonizmin edhe pse nuk është ai kryetari por Petrit Vasili.

“Është anëtari më me eksperiencë në LSI. Ai nuk mund të qëndronte larg të rinjve dhe të rejave për t’u dhënë besimin se ky vend mund të ndryshojë”, u shpreh Gjosha.