Ka përfunduar mbledhja e qeverisë në fundin e të cilës ministrtat nisën leximin e vendimeve që janë marrë.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka deklaruar se në Këshillin e Ministrave ka kaluar projekt-ligji për shërbimin spitalor që synon të krijojë modelin e autonomisë. Pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, Manastirliu u shpreh se një grup ekspertësh do të hartojnë planin kombëtar spitalor.

Po ashtu ministrja u shpreh se do të bëhet një organizim i spitaleve dhe për herë të parë do të ketë spitale që ofrojnë shërbime edhe në bazë rajoni.

“Synohet të kalojmë në një nivel të ri të shërbimit spitalor dhe për ti dhënë një hov të ri sistemit spitalor. Është një projekt ligj që do të kalojë për diskutime në komisionet parlamentare dhe do të sjellë një model të ri të shërbimit spitalor në Shqipëri, modelin e autonomisë spitalore. Kjo vjen në këtë sistem të ri nëpërmjet kartës së performancës që plotësohet sipas kritereve të përcaktuara nga spitalet që kanë aftësi menaxheriale.

Karta e autonomisë spitalore do të ketë disa nivele të përshkallëzuar pasi i hap rrugën autonomisë. Qëllimi është përmirësimi i shërbimeve spitalore dhe një miradministrim i burimeve njerëzore dhe financiare.

Ekspertet do të hartojnë planin kombëtar spitalor. Do të kemi një organizim të spitaleve dhe për herë të parë do të kemi spitale që ofrojnë shërbime edhe në bazë rajoni. Do të krijojmë polet rajonale të shërbimeve spitalore.

Është një moment dhe do të jetë një pikë kthese e autonomisë spitalore. Do të fillojë në Spitalin Memorial brenda këtij viti. Futemi në një fazë të re të transformimit të shërbimeve spitalore”, tha ministrja.