Ministria e shëndetësisë Ogerta Manastiliu ka inspektuar qëndrat shëndetësore në zonat turistike. Në Shëngjin ajo tha se janë mbi 1500 inspektime të kryera përgjatë sezonit turistik.

“Deri më tani të gjitha strukturat tona verore kanë ofruar më shumë se 26 mijë shërbime vizita, konsulta, mjekime në të gjithë zonat ku kemi ngritur këto qendra duke mundësuar që të ofrojmë në kohë reale kujdes shëndetësor duke bërë që të ndihen pushuesit dhe turistët e huaj më të sigurt për shëndetin e tyre dhe sigurisë për jetën,” tha ajo.

Gjatë vizitës ministrja kërkoi nga inspektorët shëndetësorë marrjen e masave për të garantuar kushtet higjenosanitare.

“Të rekomandoni sa më shumë për të përmirësuar të gjithë parametrat që përbëjnë paketën bazë të cilësisë kur flasim për shëndetin por dhe të gjithë elementët e tjerë që në bashkëpunim me Inspektoriatin e Mjedisit dhe ushqimit të bashkëpunoni që ne të kemi një turizëm të garantuar e mbi të gjitha të kemi të sigurt shëndetin dhe jetën e qytetarëve”, tha ajo.

Sipas ministres, kontrollet e shumta janë zhvilluar dhe në pishinat e mbyllura për parametrat e ujit.
Më tej ministrja iu bëri apel qytetarëve që të tregojnë kujdes për shkak se temperaturat vijojnë të jenë të larta.