Gjatë 24 orëve të fundit janë zbuluar 7 raste të reja me COVID-19 në vendin tonë. Shifrat e përditësuara u bënë të ditura nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu gjatë fjalës së saj në Parlament.

Numri total i të infektuarve në Shqipëri është 773 persona, nga 766 që ishin një ditë më parë, prej tyre 60% janë të shëruar.

“Jemi ende në një fazë aktive të epidemisë, ku aktualisht kemi 272 persona aktivë të prekur nga COVID-19 dhe po bëhet një punë shumë e madhe për të ndërprerë zinxhirin e transmetimit të infeksioni”.

Manastirliu deklaroi se do të tregohemi shumë të kujdesshëm për fazat e ri-hapjes.

“Jemi drejt një strategjie rihapje por jemi duke u treguar shumë të kujdesshëm. Duhet të vijojnë të respektohen masat e distancimit dizik të cilat deri më sot kanë dhënë rezultat për të mos patur një incidencë të lartë”, tha Manastirliu.

“Sot konstatojmë shpërthime në vatra familjare, janë më shumë se 100 vatra dhe po bëhet një punë e madhe për të ndërprerë zinxhirin e transmetimit të infeksionit. Është një punë shumë e madhe që po bëhet nga mjekët, infermierët, epidemiologët në terren”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha në Kuvend se hapja e një serie biznesesh në fillimin e kësaj jave është pjesë e strategjisë së rihapjes, për të vlerësuar situatën për dy javët që pasojnë.