Ministrja gjermane e Arsimit, Bettina Stark-Watzinger, ka thënë se nxënësit në Gjermani duhet të jenë më të përgatitur për të përballuar të gjitha llojet e krizave dhe fatkeqësive të mundshme, përfshirë luftën.
Anëtarja e Partisë Demokratike të Lirë (FDP), që është në koalicion me partinë e kancelarit Olaf Scholz, ka theksuar rëndësinë e mbrojtjes civile, raporton Deutsche Welle.
Stark-Watzinger ka potencuar se shkollat duhet të merren me mbrojtjen civile dhe theksoi se qëllimi duhet të jetë “forcimi i qëndrueshmërisë sonë”.
“Shoqëria në tërësi duhet të jetë e përgatitur mirë për krizat – nga pandemitë, përmes fatkeqësive natyrore, deri te lufta”, ka thënë ajo.
Stark-Watzinger mori shembullin e Britanisë së Madhe e cila kryen ushtrime të mbrojtjes civile në shkolla, duke thënë se edhe Gjermania mund të mësojë të bëjë të njëjtën gjë.
Ministrja bëri thirrje gjithashtu për zhvillimin e një marrëdhënieje “të qetë” midis nxënësve të shkollave dhe forcave të armatosura. Ajo sugjeroi që zyrtarët ushtarakë të vizitojnë shkollat për të shpjeguar se çfarë “po bën Bundeswehr për sigurinë tonë”.
“S’e kuptoj rezistencën ndaj një praktike të tillë”, ka shtuar ministrja.