Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni thotë se 6-mujorin e ardhshëm do të miratohet plani kombëtar DURANA.
Sipas saj, DURANA (zona ekonomike Tiranë-Durrës) është një Plan Kombëtar për zonën më të rëndësishme në Shqipëri, që ka potencial të zhvillimit ekonomik dhe social shumë të madh. E pyetur nga gazetarja Rudina Xhunga, ministrja deklaroi se, nëse ka një plan të miratuar, investitorët tërhiqen më shumë, sepse dinë ku të ndërtojnë, dinë ku të investojnë dhe janë të sigurtë që nesër nuk do të prishet ajo gjë.
“Kemi parë, qoftë me planin DURANA, qoftë me Planin e Përgjithshëm Kombëtar, se potencialet më të mëdha janë për zonën Tiranë-Durrës. Planet kombëtare do të miratohen brenda 6-mujorit të parë të vitit që vjen, për t’i hapur rrugë detajimit të planeve të përgjithshme vendore, që të dihet ku të investohet, cili sektor i ekonomisë është më fitimprurës dhe mund të zhvillohet në një zonë, ku mund të vijnë investimet, ku mund të zhvillohet bujqësia, ku ka nevojë për infrastrukturën”, tha ajo.