Në një takim të organizuar sot në qytetin e Durrësit ministrja Eglantina Gjermeni u shpreh se për vitin 2017 kërkesat për strehim social  janë shumë të mëdha në të gjithë vendin.

“Mbështetja që ka dhënë qeveria nëpërmjet programeve është në vijimësi, por asnjëherë nuk i përmbush nevojat e familjeve shqiptare”- ka thënë ajo. I këtij mendimi është koordinatori i përhershëm i  PNUDIT në Shqipëri, Brian Williams, i cili ishte i pranishëm në  takimin  kombëtar  me përfaqësues të 61 bashkive në vend për sfidat e strehimit social në vend.

Williams solli eksperiencat më të mira nga vendet perëndimore, të cilat kujdesen që ndërtuesi 1% të ndërtimit ta destinojë për familjet e pastreha.  

Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, deklaroi se prej tre vjetësh nga programi për rikonstruksionin e banesave të komunitetit rom dhe egjiptian,  kanë përfituar 15 bashki të vendit dhe janë rikonstruktuar 469 banesa.  Për vitin 2017 fondi i alokuar nga buxheti i Ministrisë është 140 milionë lekë. Me këtë fond do të mundësohet përmirësimi i kushteve të jetesës për mbi 300 familje të këtij komuniteti.

Por për herë të parë këtë vit,  pilotohet programi për banesat sociale dhe synon kthimin apo përshtatjen në banesa sociale të objekteve pronë e bashkisë.

Është parashikuar që me fondin e alokuar në vlerën 120 milionë lekë të mundësohet strehimi i 135 familjeve në nevojë në bashki të ndryshme të vendit, të cilat do të aplikojnë me projekte pranë ministrisë.

Për vitin 2017 do të ndërtohen edhe 160 apartamente të reja në bashkinë Korçë, 74 apartamente në  Durrës, një objekt banimi me 24 apartamente në Lushnje, objekt banimi me 38 apartamente dhe në bashkinë Pukë do të fillojë rikonstruksioni i dy godinave, pronë e bashkisë që do të kthehen në objekte me funksion banimi, ku do të mundësohet strehimi i 24 familjeve.

Ministrja Gjermeni u kërkoi përfaqësuesve të bashkisë të aplikojnë me projekte në Ministrinë e Zhvillimit Urban, për strehimin social.

K.H.