Gjatë ditës së dytë të vizitës së saj zyrtare në Gjermani, ministrja Gjonaj zhvilloi një takim me Përfaqësuesin e Përhershëm në Kancelarinë Federale, Departamenti i Politikës, Dr.Franz Neuder.

Gjatë takimit me këshilltarin e Kancelares Merkel, Gjonaj e informoi për proceset e rëndësishme shtet formuese që ka ndërmarrë Shqipëria, veçanërisht reformën në drejtësi, masat për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Neuder u shpreh se ky vullnet politik i shoqëruar me progres është i rëndësishëm për pasjen e një Progres Raporti pozitiv nga Komisioni Evropian dhe hapjen e negociatave.

"Shqipëria ka bërë progres dhe kjo është e qartë për shumë vende, jeni në një proces i cili po ecën dhe shpresojmë në vijimin e tij".

Gjatë takimit u bisedua gjithashtu edhe për situatën politike dhe për një sërë rezultatesh në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Vizita e Ministres Gjonaj sëbashku me delegacionin vijoi me disa takime me deputetë të Bundestagut, të koalicionit CDU/CSU. Nga ana e tyre ata shprehën konsideratë të lartë për ecurinë e reformave që Shqipëria ka ndërmarrë duke i cilësuar ato si thelbësore për institucionalizimin e shtetit të së drejtës.

Gjatë takimit me Florian Hahn, anëtar i Komitetit për Çështjet Evropiane si dhe i Komitetit për Punët e Jashtme u theksua nga ana e tij se raporti i cili do të prezantohet nga Komisioni Europian në fund të muajit maj në kuadër të procesit të hapjes së  negociatave do të vlerësoj progresin e arritur nga Shqipëria deri më sot veçanërisht në ecurinë e Reformës në Drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit.

Ai u shpreh se Parlamenti është rruga e duhur për të garantuar stabilitetin dhe demokracinë në vend. Në mbyllje të vizitës së saj zyrtare në Berlin, Ministrja Gjonaj zhvilloi gjithashtu një takim me Nicolas Lobel, deputet i Bundestagut, përfaqësues i fraksionit CDU/CSU i cili gjithashtu ofroi gjithë mbështetjen për procesin e integrimit ne BE të Shqipërisë.​