Përplasje në bordin e administrimit të Universitetit të Mjekësisë, mes ministres teknike të Arsimit, Mirela Karabina dhe anëtarëve të bordit, i cili përbëhet nga 7 anëtarë, 4 prej të cilëve nga ministria e Arsimit dhe 3 nga Universiteti.
Ministrja Teknike e Ministrisë së Arsimit, Mirela Karabina ka pushuar nga puna 4 anëtarë të bordit në Universitetin e Mjekësisë, duke i zëvendësuar me 4 të tjerë.
Mësohet se ndër to, është pushuar dhe Plarent Ndreca drejtor i UPT. Mbledhja e Bordit është zhvilluar ditën e sotme, ndërsa disa nga anëtarët e bordit ishin me pushime, duke u cilësuar në këtë mënyrë e paligjshme.
4 anëtarët e zgjedhur nga ministrja Karabina kanë zhvilluar edhe më parë mbledhje, por këto mbledhje janë bojkotuar nga 3 anëtarët e bordit të zgjedhur nga universiteti.
Sot 4 anëtarët e zgjedhur nga Karabina janë mbledhur dhe kanë miratuar të katërt buxhetin, teksa duan të emërojnë edhe administratorin. Por sërish 3 anëtarët e Universitetit e kanë bojkotuar mbledhjen.
Bord Buba, një prej anëtarëve të zgjedhur, ka thënë për News24 se mbledhja e sotme ishte e jashtëligjshme.
“Ne jemi me pushime dhe Karabina zëvendëson 4 anëtarë, ky është shkarkim, jo zëvendësim. Ata me këtë mbledhje cënojnë autonominë e universitetit, gjë që dëmton financat primarja, dhe më pas edhe zgjedhjen e administratorit. Nuk është e ligjshme kështu. Në mbledhjen e bordit, duhet të jenë 3/5 e kuorumit të bordit për të votuar. Karabina e ka bërë këtë për të prishur autonominë dhe për të shtënë në dorë të gjithë financën dhe administratorin që bën punësimet,” tha Buba.
Ditën e djeshme 7 drejtorë të MAS u kallëzuan në Prokurori me akuzën e "shpërdorimit të detyres".





