Nga Gjergj Thanasi
Durrës, 3 qershor 2014– Kur Berisha, me kredibilitet thuajse zero përtej shtresës së militantëve kokëngjeshur të PD-së, foli për avionë droge nga Divjaka, Gjadri, Bedeni, Arshilengo etj., qeveria, sidomos Kryeministri dhe Ministrja e Mbrojtjes bënë humor me broçkullën e radhës të Baronit Mynhauzen Von Vicidoli.
Shumica e “senatorëve” të PS-së nuk e hapën sqepin, sepse nga përvoja e tyre e gjatë me Berishën, druheshin, se doktori mund të kishte ndonjë as nën mëngë. Plazhistët, që instaloi Rama në pushtet, nuk flisnin, sepse nuk dinin se ç’të flisnin pa u ardhur fjalimi i gatshëm nga Ministri i Propagandës, Dr. Goeb… dmth nipi i shokut Iljaz e djali i shokut Myqerem.
Vetëm Braçja, socialist i vërtetë, tribun popullor dhe politikan me eksperiencë, ndërsa bënte me mish e me shpirt avokatinë e PS-së la të kuptojë që në fjalimet jerm të Mynhauzen Von Viçidolit kishte diçka të vërtetë. Shkuarja pas berihajit preku edhe Shkëlqesinë e tij z.Arvizu, i cili pa u konsultuar me punonjësit e DEA-s të stacionuar në Ambasadën Amerikane në Romë, njëlloj si në sherrin me Ilir Yzeirin dhe “Shekullin” në pronësi të deputetit rilindas Koço Kokëdhima, nxitoi të hidhte poshtë avionët e drogës.
Pas incidentit të Riformatos në Divjakë, menjëherë u aplikua parimi: Dallëndyshe ktheje ndryshe. Njëlloj si në kohën e shkuar, kur miku i madh i shqiptarëve Tito shndërrohej brenda natës në klika trockiste e Titos, njëlloj si marksist-leninisti i madh Krushov bëhej revizionisti i fëlliqur Krushov, na doli që avion-drogë kishte pasur, por qeveria e sotme ishte e “virgjër”, sepse avion-droga kishte ekzistuar në kohën e qoftëlargut Berishë.
Fatkeqësisht, për qeverinë e Rilindjes shqiptarët nuk janë më nën diktaturë, por jetojnë në kuazi demokraci. Ata tashmë nuk kanë frikë të dyshojnë në atë çfarë u ofron propaganda zyrtare, dhe mbi të gjitha kanë një pafundësi burimesh informative të ndryshme nga ato qeveritare e gjysëm qeveritare.Tamam si me meselenë e armëve kimike, Qeveria e Rilindjes dhe kryesisht Kryeministri Rama pësuan disfatën e rradhës në pikën e tyre që ata mendojnë si më të fortë, në marrëdhëniet me publikun.
Nga historia me avion-drogë më e menderosur në kuptimin figurativ dhe real të fjalës (pas mushkonjës kryeministrore të markës “Cesna-Divjaka”) doli Ministria e Mbrojtjes.
Zv/ministri i këtij dikasteri, i cili nga historia e 300 km det fitoi reputacion si patriot i flakët e publicist i zoti deklaroi se avionët nuk mund të uleshin në aeroportin ushtarak të Gjadrit, se në pistë kishte baltë, guriçka e kakërdhi delesh. Avioni u ul dhe në Divjakë, ku nuk kishte as aeroport e as pistë, por në aeroportin e Gjadrit nuk mund që nuk mund të ulej. Profesionistët si edhe ata amatorë, që me një kërkim në google e gjejnë se ku mund të ulen avionët ultra të lehtë, nuk e hëngrën brockullën e zv/ministrit as atëhere, por avioni i Riformatos e bëri qesharake figurën e numrit 2 të Ministrisë së Mbrojtjes edhe në sytë e tetarit më të fundit të ushtrisë shqiptare.
Shefi i Shtabit, një gjeneral, që të paktën nga ushtria merr vesh, besoj qëllimisht luajti me paditurinë e publikut të gjerë për terminologjinë ushtarake për avionët dhe terma të tilla si “bogey”, renegat dhe kuazi renegat. Ai u përpoq t’i mashtronte shqiptarët me emrin e NATO-s. U përpoq të nxirrte garant NATO-n, që avionë me drogë as kanë fluturuar as janë ulur në aeroportet shqiptare apo në pista ulje të rastësishme (make shift air strips).
Kjo më kujton Fatmir Mediun dhe gjeneral nën/kolonel Luan Hoxhën, që ua mbyllnin gojën vartësve për punën e Gërdecit me shprehje standart: “Janë amerikanët brenda atje. Po i bëjmë një favor CIA-s, prandaj mos na hapni telashe”. Gërdecin, dje, civilë e gjeneralë kërkonin ta mbulonin me “jorganin” e Amerikës e të CIA-s. Sot avion-drogën kërkojnë ta mbulojnë me “jorganin” e NATO-s.
Në të dy raste “jorganët” qëlluan të shkurtër dhe në rastin e Gërdecit jashtë jorganit dolën 52 këmbë kufomash, në rastin e avion-drogës deri tani ka dalë rrota e avionit të Divjakës, ka dalë përgjysëm avioni i Michellino Galianit në Grykë të Vilunit (7 tetor 2013), që do ngarkonte “rigon” nga ai i Shllakut, si dhe ka filmime të avionëve afër ish depos së raketave kundërajrore MANPAD në Arshilengo të Gjirokastrës etj. etj.
Në rastin e avionit të drogës së 19 shkurtit, më kot përpiqen ushtarakët dhe civilët e Ministrisë së Mbrojtjes ta fshehin pas elikës së një helikopteri të NATO-së, që për koincidencë kishte fluturuar në të njëjtën datë në veri të lumit Mat. I kujtoj ushtarakëve shqiptarë, që me marrëveshje hapësira ajrore malazeze e kontrollohet bashkërisht nga serbët dhe malazezët.
Berisha me kontaktet e posaçme, që ka me serbët, nuk e ka aspak të vështirë të sigurojë prova të pakundërshtueshme për fluturimin e këtij avioni droge në veri të lumit Drin. Kujtoj që edhe sisteme obsolete si radarët suedezë Giraffe 40 apo variantet më modernm PS 707, të stacionuara buzë kufirit shqiptar, kanë kapacitete ta kapin dhe dokumentojnë komplet shtegun e fluturimit (flight path) të avionit ultra të lehtë tip “Piper” të 19 shkurtit 2014. Çfarë mund të thonë ushtarakët dhe civilët e Ministrisë së Mbrojttjes nëse të tilla dokumenta do bëhen publike në sallën e Kuvendit apo në faqe gazetash?!
Në datë 1 qershor Ministrja Kodheli deklaronte se ka zero fakte për përfshirjen e infrastrukturës dhe segmenteve të devijuara të ushtrisë në aerotrafik droge. Dje po e njëjta ministre deklaronte se ka prova, dëshmitarë, që ka pasur aerotrafik droge, nga lokacione të ish njësive e reparteve ende në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Gjithsesi zonja Ministre, duke pohuar pjesë të së vërtetës, që nuk mund të fshihen më, përpiqet të mbulojë pjesët më përvëluese të kësaj të vërtete.
Sot në Ministrinë e Mbrojtjes po zbatohet në kushte të reja përvoja e vjetër e ish ministrit Imami për trafikim kontrabandimin e armatimeve. Tragjedia e Gërdecit ia kishte nxjerrë bojën MEICO-s, kështu që trafikantët menduan një formë të re trafikimi. Ata liberalizuan tregtinë e armëve, me qëllim që të licensonin firma në pronësi të njerëzve të tyre të afërt për të vazhduar trafiqet e armëve, që më parë i bënte MEICO.
Kjo manovër kishte përfitime të shumëfishta. Nëse kapej ngarkesa dhe bëhej skandal, atëhere formalisht Ministria e Mbrojtjes dilte e larë, sepse e kishte bërë privati kontrabandën, jo famëkeqja MEICO. Në firmën private, mundësia e rrjedhjes së informacionit ishte po ashtu më e vogël. Madje nuk kishte nevojë t’i ndaje paratë me askënd, pra fitimin e kishe neto.
Sot aerodromet dhe pistat e uljes së avionëve (airstrips) janë bllokuar me blloqe betoni, duke e bërë realisht të pamundur uljen e avionëve ultra të lehtë, pavarësisht se në rast emergjence ajrore këtyre bllokimeve ja sheh sherrin dhe krijon premisë për fatkeqësi ajrore. “Punën” që bënte ushtria shqiptare dje, tashmë ka filluar ta bëjë privati. Në disa pika të Shqipërisë nga jugu në veri po ndërtohen me ngut pista ulje avionësh me bar apo të shtruara me çakull. Ndonjëra nga këto pista është e pajisur edhe me sisteme elementare drenazhimi, duke e bërë funksionale jo vetëm gjatë verës, por edhe gjatë vjeshtës me përjashtim të rasteve të rënies së shirave të rrëmbyeshëm. Me që titulli i shkrimit është sekreti i Pulçinelës mund të bëjmë publike se një pistë e tillë është thuajse e përfunduar edhe në Qarkun e Durrësit. Në ndonjë nga këto pista janë përdorur për transport dheu e inertesh edhe kamionë vetëshkarkues të tonazhit të mesëm tip FIAT Astra. Zonja ministre, po të dëshirojë më shumë info le të pyesë vartësit e saj të Brigadës mbështetëse për të tillë kamionë.
Kjo puna e pistave private tip “ndërtim pa leje” është bërë si puna e Sekretit të Pulçinelës, që e dinte gjithë Napoli. Sinqerisht nuk e kuptoj ndaj kujt e mban sekret zonja ministre, kur për këto pista, për avionët ultra të lehtë dhe për ngarkesën e tyre me mallra të përzjera ( bar, miell i kuq e i bardhë ) e pasagjerë VIP e dinë thuajse të gjithë. E dinë amerikanët e DEA-s, e dinë dhe të DIA-s, se u interesojnë armët speciale, që herë pas here transportohen nga Shqipëria në Itali, e dinë se u intereson edhe se cilët janë ata pasagjerë VIP-a, që mund të paguajnë “biletën” e shtrenjtë ekuivalente me navllonin e 60-70 Kg “rigon” Lazarati apo Cudhije.
Të tillë VIP-a, nuk begenisin as gomone, as anije mallrash, që bëjnë rrugë nga portet shqiptare drejt atyre italiane, ata preferojnë VIP transport-aero transport. E dinë turqit, sepse MIT-i turk i ka infiltruar fuqimisht rrjetet e trafikantëve të heroinës, që përdorin rrugën turke për të çuar heroinën afgane në tregjet evropiane. E dinë italianët, sepse finacierët e tyre kanë një rrjet goxha të mirë informatorësh (rasti i shefit të antidrogës në Fier). E di madje edhe ai koloneli pensionist i xhandarmërisë i punësuar nga OSBE-ja në Tiranë. Sinqerisht, kur e di gjithë Napoli (bota), kjo Pulçinela jonë kujt ia mban sekret këtë punën e avionëve dhe të pistave private pa leje KKRT-je?!
Dolcis in fundis
Me sa duket ngjau njëlloj si në legjendën e Herakliti dhe të centaurit. Berisha, kur po bëhej rotacioni sipas parimit të Muc Nanos: Të bashkohen të gjithë qelbësirat kundër Berishës, i fali Ed Ramës mantelin e përgjakur të centaurit , që e mbajti mbi supe gjatë 4 viteve të madatit të dytë. Le të shpresojmë që Kryeministri Rama të jetë më i fortë se Herakliti i legjendës dhe ky mantel i përgjakur të mos i shkaktojë të njëjtat efekte, që i shkaktoi Heraklitit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





