Gjatë fjalës së saj në Komisonin për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, prezantoi këtë të hënë vizionin dhe panoramën mbi të cilën është konceptuar rishikimi i paketës kurrikulare për kurrikulat bërthamë, si dhe për programet lëndore për klasat I, VI dhe X.
“Për klasat 1,6,10 përditësimi i programeve lëndore ka ndodhur në vitin 2025, përditësimi i teksteve po ndodh aktualisht, dhe zbatimi i kurrikulës së re do të nisë në shtator të vitit 2026. E njëjta logjikë dhe proces do të ndiqet për klasat 2, 7, 11, me kurrikulën e re që do të zbatohet në shtator 2027; për klasat 3,8,12 në shtator të vitit 2028.
Dhe për t’u përmbyllur me klasat 4,5,9 me zbatimin e kurrikulës së re duke filluar nga shtatori 2029. Përgatitja e listës së teksteve shkollore për përditësim, sipas klasave dhe lëndëve, bazuar në katalogun zyrtar të teksteve shkollore për klasat 1, 6 dhe 10 përfshin 171 tekste shkollore: 140 tekste fizike dhe 31 tekste digjitale.
Sikundër përfshin hartimin e treguesve të përditësimit të teksteve shkollore dhe takime informuese me shtëpitë botuese për procesin e përditësimit të teksteve shkollore, që po zhvillohen nga kolegët e ASCAP.
Procesit të konkurrimit për tekste të reja shkollore do t’i nënshtrohen: Qytetaria për klasat 1-6-10 dhe gjuha shqipe për klasën 10. Ndërsa tekstet e tjera do t’i nënshtrohen përmirësimeve dhe përditësimeve sipas gjithë sa sqarova më herët”, deklaroi ministrja Kumbaro gjatë mbledhjes në komision.

Në fund të fjalës së saj, ministrja theksoi se një kurrikul e re nuk mund të ketë sukses pa mësues të përgatitur, duke sqaruar se programi i ri strategjik 2026-2028 për zhvillimin professional të mësuesve, synon t’u garantojë këtyre të fundit mbështetje konkrete në planifikimin e mësimit sipas rezultateve të reja, në përdorimin efektiv të teknologjisë dhe të Inteligjencës Artificiale, në vlerësimin formues dhe, po aq e rëndësishme, në mirëqenien e tyre profesionale dhe etike.
Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, e ftuar nga Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, prezantoi punën që po bën Ministria e Arsimit përmes Agjencisë së Sigurimti të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar, mbi rishikimin e e kurrikulave dhe teksteve në arsimin bazë dhe atë të mesëm.
Më herët, Kumbaro u shpreh se përditësimi i kurrikulës së arsimit parauniversitar është konceptuar si një proces gjithëpërfshirës modernizimi, që synon ndërtimin e një sistemi arsimor cilësor, fleksibël dhe të orientuar drejt zhvillimit të kompetencave të shekullit 21 për të gjithë nxënësit.





