Një ditë pas incidentit të ndodhur dje në spitalin e Durrësit, sot ka reaguar edhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.
Ajo ka dënuar agresionin ndaj mjekut në urgjencën e spitalit të Durrësit, Gerald Kola, i cili u godit teksa kishte ndërhyrë për të ndarë dy persona të dehur, të cilët po konfliktoheshin në ambientet e spitalit.
“Dënoj me forcë agresionin e dhunshëm ndaj mjekut në urgjencën e spitalit të Durrësit. Autorët e sulmit barbar të marrin dënimin maksimal që jep ligji.Të vendosur në zbatimin e urdhrit për regjimin e ri në spitale.
Asnjë familjar në shërbimin e urgjencës dhe respektim i orareve të vizitave në çdo spital”, shkruan Manastirliu në një status në “Facebook”.
Gerald Kola është mjeku i spitalit të Durrësit, i cili u godit me tullë në fytyrë rreth orës 19:30 të mbrëmjes së të shtunës. Teksa përpiqej të ndante dy të dehurit që po ziheshin në ambientet e Urgjencës, mjeku roje mbeti i plagosur, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.
“Ka tentuar roja për t’i nxjerrë dhe i janë kthyer rojes, ngaqë kanë qenë duke bërtitur ka ndërhyrë një pacient tjetër për të shuar sherrin dhe aty ka filluar sherri. Në atë kohë kanë qenë 3 mjekë që kanë ndërhyrë për t’i ndarë. Njëri nga familjarët ka dalë jashtë, ka marrë tullë dhe bisht fshesë dhe ka goditur njërin nga mjekët”, sqaroi ngjarjen drejtoresha e spitalit rajonal të Durrësit, Nadire Jani.





