Drejt përfundimit punimet në pediatrinë e Durrësit, e cila prej mëse një viti i është nënshtruar rikonstruksionit. Lajmin e bën të ditur ministrja e Shëndetësisë, e cila ka parë nga afër punimet që po bëhen në godinë.

“Së shpejti gati pediatria e re e spitalit të Durrësit

‪Edhe pse sistemi shëndetësor po përballet me sfida të mëdha si pasojë e COVID19, puna nuk është ndalur për rindërtimin e infrastrukturës shëndetësore me standardet më të mira” – shkruan Manastirliu në një postim në rrjete sociale krahas të cilit poston edhe një foto ku shfaqet së bashku me drejtoreshën Nadire Jani jashtë godinës së re që është tashmë në punimet e fundit.

Në vizitën që ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu zhvilloi në muajin mars në spitalin e Durrësit, inspektoi edhe punimet tek godina e pediatrisë. 3 muaj më parë, Manastirliu tha se punimet do të përfundonin brenda kësaj vere dhe godina do të shërbente për rreth 55 mijë pacientë në vit.

“Pediatria e Durrësit po investohet për t’u kthyer në një spital modern, falë investimit të qeverisë në vlerë 262 milionë lekë. Një investim shumë i rëndësishëm për qytetin e Durrësit, por jo vetëm, edhe për turistet e shumtë që frekuentojnë plazhin gjatë sezonit turistik”, deklaroi Manastirliu në atë kohë.