Ministrja për Rininë dhe Fëmijët Bora Muzhaqi po merr pjesë në punimet e Samitit të Procesit të Berlinit. Gjatë qëndrimit të saj në Berlin, Ministrja Muzhaqi mori pjesë në panelin e diskutimit “Perspektivave Rinore: Si mund të jenë ata ndryshimi?”.

Ky panel përbënte një pjesë të rëndësishme të Forumit të Shoqërisë Civile dhe Laboratorit të Mendimit 2024, ku u zhvillua një diskutim i rëndësishëm mbi sfidat dhe mundësitë që has rinia në Ballkanin Perëndimor. Pjesëmarrësit e këtij paneli, ministra të ndryshëm nga rajoni si dhe aktivistë të rinj të njohur diskutuan mbi politikat rinore në Ballkanin Perëndimor duke u ndalur tek praktikat më të mira. Panelistët shprehen bindjen se të rinjtë e rajonit duhet të forcojnë dhe konsolidojnë akoma më tej bashkëpunimin përmes nismave rajonale të ndërmarrja në këtë fushë.

Ministrja Muzhaqi në fjalën e saj u ndal gjerësisht tek puna e bërë për krijimin e më shumë mundësive për të rinjtë shqiptare duke i angazhuar në vendimmarrje në nivel lokal dhe qëndror, programet e ndryshme për punësimin nëpërmjet praktikave dhe programin e garancisë rinore, por edhe nismat fantastike për ndërkombëtarizimin e universiteteve dhe krijimin e një ofertë më të mirë studimi në Shqipëri. “Ne kemi hedhur hapa të rëndësishëm në drejtim të forcimit të rolit të të rinjëve në vendimarrje sepse ne besojmë që zëri i tyre duhet të dëgjohet dhe të përkthehet në politika reale në shërbim të nevojave të tyre”, pohoi Ministrja Muzhaqi.

Një tjetër temë kryesore e diskutimit ishte ndërkombëtarizimi i universiteteve shqiptare, me qëllim rritjen e tërheqjes dhe përshtatshmërisë së sistemit arsimor për studentët, si dhe krijimin e një oferte më të mirë studimi në Shqipëri. Këto nisma janë të domosdoshme për të garantuar që rinia e sotme të ketë mundësitë dhe burimet e nevojshme për të zhvilluar potencialin e saj në një kontekst evropian më të gjerë.

Gjatë qëndrimit në Berlin, Ministrja Muzhaqi pati gjithashtu disa takime të tjera ku diskutoi mbi politikat rinore që qeveria shqiptare ka ndërmarrë në këtë drejtim dhe cfarë synon permes tyre.

Samiti i Procesit të Berlinit ofron një platformë të rëndësishme për diskutimin e çështjeve kyçe që ndikojnë në zhvillimin e rajonit dhe promovimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.