“Korridori VIII nuk është thjesht një investim. Ai është një domosdoshmëri strategjike”, kështu ka deklaruar këtë të mërkurë nga Ministeriali për Korridorin e VIII që po mbahet në Tiranë, ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali.

“Është kënaqësi t’ju kemi sot këtu, në një takim që nuk lidhet thjesht me një vijë në hartë, por me formën e së ardhmes së rajonit tonë. Korridori VIII është ndërlidhja e munguar lindje–perëndim e Ballkanit Jugor. Ai lidh Adriatikun me Detin e Zi, tregjet me tregjet dhe rajonin tonë me zemrën e Europës. Dy mijë vjet më parë, Via Egnatia arriti pikërisht këtë: lidhi portet, qytetet dhe njerëzit në të njëjtën hapësirë gjeografike. Sot, nuk po shpikim diçka të re. Ne thjesht po përfundojmë një detyrë që historia e ka përcaktuar tashmë për ne: ta bëjmë këtë pjesë të Europës realisht të ndërlidhur”, tha Spiropali, në nisje të sesionit qendror ku marrin pjesë zv.kryeministri dhe ministri për Punët e Jashtme të Italisë, Antonio Tajani, ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Timčho Mucunski, zv.ministri i Jashtëm të Bullgarisë, Nikolay Pavlov, si dhe ambasadori i Rumanisë në Shqipëri, Octavian Şerban.

Sipas ministres Spiropali, ndërlidhja nuk llidhet vetëm me asfaltin dhe hekurudhat, por do të thotë mundësi dhe qëndrueshmëri, madje edhe siguri.

Mes të tjerash, gjatë fjalës së saj Spiropali deklaroi se “në të gjithë vendin, korridori është në qendër të strategjisë sonë kombëtare të transportit” dhe se “Shqipëria po bëhet një nga nyjet e më të besueshme të këtij projekti”. 

Ministrja u ndal edhe në rëndësinë e Korridorit VIII si aset strategjik për ndërveprueshmërinë dhe sigurinë europiane. 

“Rrugët, hekurudhat, portet dhe lidhjet energjetike janë asete strategjike. Korridori VIII është i vetmi aks i vërtetë lindje–perëndim në Europën Juglindore. Ai lidh Adriatikun me Detin e Zi përmes vendeve tona, të gjitha anëtare të NATO-s. Kjo i jep këtij korridori një dimension të dytë, shumë praktik. Ai nuk është vetëm një projekt ekonomik dhe integrues.

Ai është edhe një korridor ndërveprueshmërie. Ai mundëson që forcat aleate, pajisjet dhe furnizimet të lëvizin më shpejt dhe në mënyrë më të parashikueshme në rajon, duke forcuar arkitekturën e sigurisë së krahut jugor të Aleancës. Vetëm pak ditë më parë, në Takimin Ministror të Mbrojtjes të NATO-s, u riafirmua rëndësia strategjike e mobilitetit ushtarak në krahun juglindor, duke mundësuar avancimin e përdorimit të dyfishtë të Korridorit VIII përmes financimit të përbashkët të Aleancës. Në këtë kuptim, Korridori VIII kontribuon jo vetëm në tregti dhe rritje ekonomike, por edhe në mbrojtjen kolektive, qëndrueshmërinë dhe stabilitetin në hapësirën më të gjerë të Detit të Zi dhe Mesdheut”, deklaroi Spiropali, e cila shtoi se faza e ardhshme e projektit duhet të jetë më praktike për ta bërë Korridorin VIII një arterie funksionale europiane.