Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla tha sot se, vitin e ardhshëm shkollor, në 10 shkolla do të zbatohet projekti për të futur si pjesë të mësimit një lëndë që jep njohuri mbi besimet fetare.
Sipas saj, bëhet fjalë vetëm për një lëndë mësimore dhe theksoi se në shkolla nuk do të predikojë për fenë. “Lënda që do të quhet “Historia dhe kulturat fetare” dhe do të futet në kurrikulat e pesë shkollave të mesme dhe 5 shkollave 9-vjeçare, në klasat e 6-ta dhe vitet e para. “Lënda do jepet nga mësues dhe jo klerikë. Nuk do predikohet. I kam parë shqetësimet e akademikëve, projekti do diskutohet me akademikët, nuk do miratohet asgjë pa miratimin e akademikëve”, deklaroi ministrja.
Përfshirja e një lënde mbi kulturën fetare u bë e njohur nga kryeministri Edi Rama pak ditë më parë, gjatë një aktiviteti të Komunitetit Mysliman.





