Organizimi i ndeshjes së Superkupës së Europës në Shkup ishte një mundësi e shkëlqyer për Maqedoninë që të priste shumë tifozë të ardhur nga jashtë, duke i bërë vetes një reklamë turistike sa më të mirë.

Megjithatë jo të gjithë tifozët që udhëtuan drejt Shkupit për të ndjekur ndeshjen do të kenë kujtime të mira nga kushtet e gjetura për akomodim. Një tifoz anglez që e ndjek Mançester Junajtidin në çdo ndeshje ka treguar kushtet e tmerrshme të hotelit ku mendoi të merrte një dhomë për të kaluar natën.

“Kam qëndruar në shumë hotele të tmerrshëm gjatë jetës sime. Por ky në Shkup i tejkalon të gjithë. Dhomat janë të tmerrshme, të papërfunduara dhe betohem që kam parë disa minj. E shpifur. Më erdhi për të vjellë kur u futa brenda dhe më kërkuan të bëja pagesën. Për pak do i hidhja nga dritarja. Kam vendosur të qëndroj jashtë gjithë natën deri në orën 6 të mëngjesit që kam fluturimin e kthimit”, ka thënë ai.