GJIROKASTER-Minoriteti grek ka protestuar sot para konsullatës greke në Gjirokastër për ndërprerjen e pensioneve që përfitonin nga Greqia.
Me ligjin e ri të miratuar nga Parlamenti grek, shumë persona nga minoriteti shqiptar humbasin pensionin e përfituar nga Enti i Sigurimeve OGA.
Me futjen e ligjit në fuqi, prej një muaji minoritarët nuk kanë marrë pensionin që përfitonin prej vitesh nga shteti fqinj.
Minoriteti grek protestë para konsullatës greke në Gjirokastër
Për të përfituar pensionin me ligjin e ri, përfituesve të pensionit iu kërkohet të heqin dorë nga çdo e ardhur tjetër, 20 vitet e fundit të kenë jetuar në Greqi, dhe të ardhurat e tyre vjetore të mos kalojnë 4 230 euro, kushte këto të parealizueshme nga të moshuarit.
Janë rreth 18 000 persona në Shqipëri që humbasin me këtë ligj të drejtën e pensionit, pasi në kushtet e krizës ekonomike, Greqia vendosi të vërë gërshërën edhe mbi këtë ndihmë ekonomike, që prej vitesh iu jepte atyre.
Ligji është kundërshtuar nga mjaft deputetë të Parlamentit grek.





