TIRANE- Maqedonasit që jetojnë në Shqipëri nuk i njohin rezultatet zyrtare të regjistrimit të popullsisë. Procesi i fundit i regjistrimit u realizua në tetor të vitit 2011 dhe sipas rezultateve të shpallura, në Shqipëri minoriteti maqedonas përbëhet nga 5.512 banorë, domethënë 0.20% e popullsisë. Sipas përfaqësuesve të këtij minoriteti, ky rezultat jo vetëm që nuk është i saktë, por edhe vetë procesi i regjistrimit nuk është kryer siç duhet.
Ata akuzojnë se gjatë procesit janë bërë shkelje të shumta e për pasojë regjistrimi nuk ka qenë i drejtë, transparent e përfshirës. Përfaqësuesit e minoriteteve maqedonase kërkojnë një regjistrim të ri të popullsisë nën monitorimin e bashkësisë ndërkombëtare, duke theksuar se ky i fundit nuk i plotësonte aspak standardet europiane. Kjo kërkesë është bërë nga kreu i pakicës maqedonase në Shqipëri, Edmond Temelko, i cili lexoi deklaratën e përbashkët të partisë Aleanca e Maqedonasve për Integrim Europian, Unionin e Maqedonasve të Shqipërisë, si dhe shoqatave maqedonase në Shqipëri.
Në këtë deklaratë shënohet: "Aleanca e Maqedonasve për Integrim Europian deklaron përpara opinionit publik shqiptar, institucioneve shtetërore dhe atyre ndërkombëtare, se nuk i njeh rezultatet e publikuara zyrtarisht të Censusit 2011. Siç e paralajmëruam një vit më parë, procesi i regjistrimit nuk ishte një proces i drejtë, transparent dhe përfshirës. Mënyra se si u zhvillua Censusi në tetor të vitit të kaluar dhe mbledhja e të dhënave mbi përkatësinë etnike është kryer me shkelje të shumta gjatë procesit.
INSTAT-i nuk pranoi asnjë sugjerim të përfaqësuesve të minoriteteve për përfshirje të përfaqësuesve të minoriteteve në komisione dhe me regjistrues, si dhe që një kopje e formularit t'i lihej në përdorim personit subjekt i deklarimit". Më tej në deklaratë theksohet se ky Census nuk ishte aspak në përputhje me standardet europiane dhe nuk tregon realisht strukturën etnike të popullsisë në Shqipëri.