Nga BUJAR QESJA

Jemi në një moshë që duhet të shijojmë shoqërinë e kaluar, duke u gëzuar me miqësitë e sotme dhe duke ruajtur një ekuilibër ndërmjet periudhash jetësore. Na merr malli për miq, për shokë, për një laps apo fletore të klasës së parë, për një shaka që kemi bërë në maturë, për një mbrëmje vallëzimi në adoleshencë, për kujtime nga shkolla e lartë. Dhe sentimenti na drithëron tërë trupin, kur kujtojmë që shokë të afërt tonët nuk jetojnë. E kjo moshë e jona, duhet t’i përballoj këto.

Nga matura na është ndarë Skënder Digli. Nga shkolla e lartë shok të rinisë së thekur. Përfytyroni se si ndjehem kur kujtoj, shokët e studimeve të larta dhe kolegë të ardhshëm. A mund ta ndjeni botën shpirtërore të një njeriu, ku mëson së ende pa u diplomuar na mbytet në lumin Droje të Krujës i paharruari, nga talentet e dramaturgjisë Shpëtim Gina. E më pas kam mësuar për largimin nga ne të gjallët, të shokëve shumë të ngushë dhe gazetarë të ndershëm dhe të afirmuar si Tonin Shtjefni, Tomor Jolldashi, Tomor Peza, Skënder Hasko, Jamarbër Marko, Apostol Duka e Hysni Milloshi. Tronditesh. Ngarkesë shpirtërore. Forcë e brëndëshme për t’i kaluar këto situata.

Por ku vijnë shokë që jetojnë larg, e që kanë ikur pas 90-tës nga toka e përbashkët? Kështu më ngjan me Esat Ypin, Florian Vlashin, Flamur Jakupin, Pali Katron, Lutfi Zinon, Lulëzim Gumën, Ver Doksanin, Cac Sykon, Petraq Risto, Agim Bulkun, Pavlin Gjinin, e plot të tjerë, që përfshihemi në entuziasmin e një kohe të përbashkët, e tani të veçuar.

Por shyqyr Zotin, kemi këtu në Durrësin tonë, plot të tjerë që kanë mbetur të palëvizuar. Me ta shikohemi dhe rrimë më shpesh. Nuk mund të ndajë nga përditshmëria ime Namik Sadikun, Gani Krasniqin, Sotir Ngresin, Besnik Çelën, Igli Gogën, Enver Isufin, Ruzhdi Golen, Luan Jaupin, Artan Zaimin, Mond Hysin, Qazim Kërtushën, Idriz Balanin, Bardhyl Agasin, Julian Shytin, Elio Bajramajn, Shpendi Topollajin, Kadri Tarellin, Fred Spiron, Nevruz Zejnatin, Tedor Bicerin etj.

Janë grupime që na i ka sjellur koha e sotme, por pa iu shmangur kohës së djeshme, koha e kristalizimit të natyrës dhe punës tonë. Të tria këto grupime, mosha e jonë i prek fort. Bëra këtë rezume, për të dalë tek prania në një ditë të zakonshme, e dy shokëve e miqve të hershëm: Niko Pema dhe Alqi Gjika.

– Kemi ardhë të të marrim për një kafe. Dil njëherë nga ky vendi yt i zakonshëm. Hajde me ne dhe rrimë pak. Na ka marrë malli. Shyqyr që kemi njëri tjetrin afër dhe mund të takohemi më shpesh.
Rutina e zakonshme që na bllokon si një ngërç, do pak inisiativë ta dobësosh paksa. Dhe këto ardhje shokësh dhe kështu pa papritur, kanë mrekullinë e vet. Dhe kjo mosha e jonë e ndjen. E çmon shumë respektin. E vlerëson xhestin miqësor dhe dashamirës.

Me Niko Pemën dhe Alqi Gjikën jemi gati në një prerje. E kam fjalën tek mosha. Na ka lidhur fëmijëria, shkolla e mesme, por edhe sportet. Më pas zanati im, isha i përkushtuari i tyre.

Niko Pema

Niko Pema është i lindur me 8 prill 1949. Shkëlqeu në spartakiadën e piniorëve në shumë sportet. Në vitin 1963 e shikojmë duke notuar me të rinjtë. E filloi breftkocë, e më pas ndryshon stil dhe ushtron shpinën. Përmirëson rekordet kombëtare për të rinj dhe të rritur.

E thërret Dhimitraq Goga për të filluar basketbollin. Por “gabimisht” Pema i nënshtrohet kërkesës së Naun Llazos, për të kaluar më volejbollin e të rinjve. Ishte përdorues i të dy duarve dhe për volejbollit dihet mirë se çfarë është një sallaks. Petrit Murzaku, mezi e priste talentin e rrjetës durrsake për tek “Partizani”. Por “Kastrioti” i Krujës ishte më në nevojë. Niko Pema dha ndihmesa që krutanët e rrjetës të dilnin në kategorinë e parë. Rikthehet në vendlindje dhe luan volejboll cilësor krahas emrave legjendë të volejbollit durrsak si Llalla, Prifti (Lluka dhe Danieli), Golashi, Kthupi, Goresë, Kasapi, Bilali, Grudës, Alites etj. Në moshën 27-të vjeçare Niko Pema dorëzon fanelen, duke u marrë në fushën e trajnimit.

Por Pema ishte dhe mbeti një axhustator klasi. Në UEM-in e djeshëm ishte i fortlakuar. Kur emigroi në Itali, punoi për shumë vite në portin e njohur të Livornos. Befasia e italianëve i kaloi kufijtë. Niko Pema njihte mirë skicimin e detaleve dhe në zbatim konkuronte edhe inxhinjerët vendas.

Alqi Gjika

Sa i takon Alqi Gjikës, i lindur në 2 shtator të vitit 1950, kemi të bëjmë me një volejbollist të nivelit të avancuar për kohën. Kërcimi dhe shuti i fortë i Gjikës, janë fiksuar në kujtesën e sportëdashësve. Që tek të rinjtë, krijoi personalitetin e një volejbolliti të formuar. Me “Partizanin” arriti në kufijtë e një kariere plot dinjitet e personalitet. Ekipi përfaqësues, me plot emra të famshëm, e kishte në gjirin e tij volejbollistin durrsak Alqi Gjika. Bilanci i djalit durrsak edhe në raporte ndërkombëtare është befasues.

Dukuri interesante në familjen e Alqit. I jati, ishte një mekanik dhe shofer i famshëm në Durrës. Sofokli Gjika, mbahet si krijues i disa parqeve automobilistike në Shqipëri. Lindjet e fëmijve janë edhe lindjet e parqeve. Petraqi dhe Vladimiri lindën në Tiranë, Alqi në Patos, Sotiraqi në Durrës dhe Maksi në Milot.

Që 13 vjeç përfshihet në ekipin e basketbollit, me trajner të mirnjohurin Dhimitraq Goga. Pasioni i tij ishte ndarë në sportin e volejbollit, ku trajnimet e para i mori me kampionin e “Lokomotivës” së vitit 1963 – Aleksandër Gorea. Pa mbushur të 19-tat përfshihet në ekipin e parë të “Lokomotivës”, me teknik Fatlum Vuçiternin. Talenti i tij kishte rënë në sy dhe “Partizani” e thith në rradhët e tij.

Krahas trajnerit Andon Kona, Gjika gjen edhe disa prej volejbollistëve më të mirë si Dashamir Fagu, Ylli Tomori, Robert Borova, Vlash Macaj etj.
Shpejt përfshihet edhe në ekipin përfaqësues, pjesë e të cilit bëhet në grumbullimet në RP të Kinës në vitet 1972-73, në kampionatin ballkanik organizuar në Rumani në vitin 1974, ku është trajnuar nga specialistët më të mirë të volejbollit si Enver Maçi, Andon Kona, Fatmir Meka, Ali Miraka dhe ku luajti me plot autoritet krahas yjeve të volejbollit shqiptar Asllan Rusi, Kiço Lena, Enis Terihati, Todi Driza, Hysen Domi, Dash Fagu, Kreshnik Tartari etj. Në Tiranë përfundon edhe studimet në Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi”. Rikthehet në Durrës në vitin 1973, për t’u larguar nga rrjeta në 1978-tën.

Nga 32 vite, punoi mësues i edukimit fizik në shkollën e mesme publike “Gjergj Kastrioti”, derisa doli në pension. Ky gjimnaz veçanërisht në sportin e volejbollit, mbeti kampion absolut në kampionatin lokal të shkollave të mesme. Një mjeshtër i madh i volejbollit, një mësues zotni, një kampion edhe me rininë shkollore.

Këto biseda bëra atë ditë me Niko Pemën dhe Alqi Gjikën, duke kujtuar kohën e mirë tonën, ku pa dyshim karierës së tyre i qëndronte pranë edhe lapsi i gazetarit, mikut dhe shokut të tyre të pandarë. Prandaj edhe mosha e jonë kullon mall, pasi kemi punuar shumë, kemi dhënë shumë, kemi qenë korekt dhe të sinqertë me cilindo, duke mbetur pjesë e mirë e edukatës prindërore.
Alqi Gjika dhe Niko Pema! Jetë të gjatë dhe gjithnjë mbarësi shokët e miqtë e mi të respektuar! Më vjen mirë që kemi qenë së bashku dhe vazhdojmë të jemi së bashku. Dhe me siguri, do të jemi edhe për mjaft kohë së bashku.

Durrës: 26 nëntor 2021

Pamja e parë

Një bisedë e lirë ndërmjet shokësh të vjetër. Nga e djathta Alqi Gjika, Niko Pema dhe Bujar Qesja.

Pamja e dytë

Ekipi i të rriturve i Lokomotivës në volejboll të rritur me trajner të paharruarin Krenar Golashin. Niko Pema është i pari në këmbë nga e djathta, ndërsa Alqi Gjika i dyti ulur nga e majta.

Pamja e tretë

Numuri 4 Alqi Gjika i Partizanit, me një kërcim mahnitës duke goditur mbi bllokun e kundërshtarit.

Pamja e katërt

Dy volejbollistë të njohur me dy yje të basketebollit durrsak. Miqësia dhe shoqëria e vjetër ruhet e pandryshuar. Nga e djathta: Niko Profkola, Vladimir Agaraj, Niko Pema dhe Alqi Gjika.

Pamja e pestë

Alqi Gjika me trofetë e fituara në volejboll, teksa krijoi monopolin e tuitujve kampionë ndër shkollat e mesme, duke drejtuar ekipin e gjimnazit Gjergj Kastrioti.