Pas 7 muajsh pushime, Lionel Mesi do të rikthehet në kombëtaren e Argjentinës dhe do të grumbullohet nga trajneri Skaloni për dy miqësoret ndaj Venezuelës dhe Marokut. Ditën e djeshme u arrit akordi mes federatës argjentinase dhe asaj marokene. Sipas gazetës arabe “Al Akhbar”, futbollistët e Marokut e kanë të ndaluar që të jenë agresivë dhe të shkaktojnë faulle kur “Pleshti” ka topin në këmbë.
Gjithashtu, nuk do t’u lejohet futbollistëve që të bëjnë foto me kapitenin e Argjentinës. Edhe organizatorët e ndeshjes nuk duhet të tregojnë vendin dhe hotelin ku do të akomodohet ekipi amerikano-jugor. Leo Mesi do të ketë shansin që të luajë të paktën 60 minuta në këtë sfidë. Ndeshja do të luhet në stadiumin “Princi Mula Abdulla”, ku priten 60 mijë spektatorë.





