Skuadra e Teutës vazhdon përgatitjet e saj për sezonin e ri në Bullgari. “Djemtë e detit” nën drejtimin e trajnerit Diego Longo, po përgatiten për t’u përballur me një edicion ndryshe nga i kaluari, me synimin që të jenë protagonist në luftën për Europën që në start.
Si pjesë e përgatitjeve, durrsakët janë ndeshur me kombëtaren e Kirgistanit, e cila gjendet gjithashtu në një grumbullim stërvitor në Bullgari. Një duel interesant, i mbyllur me shifrat 0-0, ku trajneri Longo provoi disa ndryshime në rreshtim teksa po mundohet të gjejë më të mirin e mundshëm me të cilin të nisë përballjet e sezonit.
Të besuarit e Diego Longos kanë dominuar lojën, por nuk kanë mundur dot të shënojnë.Durrsakët e nisën me disa ndryshime në formacion, në krahasim me miqësoret e kaluara që kanë luajtur në Bullgari. Dema ishte në portë, ndërsa në mbrojtje luajti Kruja dhe Gjinollari nga krahët, ndërsa Jazxhi dhe Qaqi në qendër.
Në mesfushë ishin Beqja, Arifi dhe Peposhi, me të parin që mbante edhe shiritin e kapitenit. Sulmi përbëhej nga Gjumsi dhe Fili nga krahët, si dhe Daci në majë. Teuta e nisi ndeshjen me: Dema, Gjinollari, Qaqi, Jazxhi, Kruja, Beqja, Peposhi, Arifi, Fili, Gjumsi dhe Daci. Ndërkohë, gjatë sfidës u aktivizuan edhe Vata, Kotobelli, Çejku, Demirçani, Muka, Çyrbja dhe L.Vila.