Teuta ka mposhtur Maliqin me rezultatin 4-0 në miqësoren e zhvilluar në aneksin e stadiumit “Skënderbeu”. Dominim absolut i skuadrës së Bledi Shkëmbit, përballë skuadrë maliqare që militon në Kategorinë e Dytë.

Ishte sulmuesi Nikaç që në minutën e 20-të hapi serinë e golave për durrsakët. Pjesa e parë u mbyll me triumfin 1-0 të Teutës. Në pjesën e dytë “Djemtë e Detit” shënuan edhe 3 herë të tjera me autorë Kalanë, Xhemalajn dhe Vecajn.

Duhet theksuar se i vetmi rast i rrezikshëm i Maliqit ishte ai në pjesën e dytë, ku Meçollari goditi traversën, ndërkohë që pjesa tjetër e ndeshjes foli e gjitha për Teutën.

Me këtë miqësore, Teuta ka mbyllur minifazën përgatitore në Korçë, teksa do të rikthehet në Durrës, për t’i dhënë dorën e fundit përgatitjeve, në prag të sezonit të ri.