Gazetarja dhe moderatorja Mira Kazhani ka treguar në podcast-in e saj “Zë me Mirën” betejën me kancerin e gjirit, me të cilin është diagnostikuar nëntorin e vitit të kaluar, si dhe shumë detaje nga libri i saj “Një ditë tjetër”, kushtuar ditëve kur zbuloi “dimrin” e saj. Më 19 shtator, ditën e premte, do të publikohet libri i saj.

Ndërkohë në episodin e radhës të podcast-it që drejton këtë herë ishte e ftuar vetë, ndërsa moderimin ia kishte besuar shoqes së saj më të mirë, Anjeza Maja.

“E kisha menduar ta ndaja si çdo të premte episodin, por sot, duke parë interesin dhe mesazhet lumë që më kanë mbërritur në celular, kuptova se nuk kishte kuptim të mbaja një suspans për një histori si kjo e imja.

Prandaj po bëj një përjashtim dhe po thyej një rregull — sepse edhe jeta na detyron ndonjëherë të bëjmë kështu, ashtu siç më ndodhi mua një vit më parë

Po ju lë ta dëgjoni vetë.”,– shkruan Mira në rrjete sociale.