Prej dhjetë vitesh drejton Katedrën e Inxhinierisë së Software-it në Universitetin Politeknik të Darmstadt-it. S’ka kaluar shumë që është shpallur fituese e çmimit “ERC Advanced Grant” me shumën prej 2.3 milionësh, që është akorduar nga Këshilli Europian për studimet shkencore, duke e kthyer në një nga shqiptaret më të suksesshme në botë.
Pak ditë më parë, profesoresha e Informatikës në Universitetin e Darmstadtit në Gjermani, Mira Mezini, është shpallur fituese e çmimit “ERC Advanced Grant”, me shumën prej 2.3 milionësh, që është akorduar nga Këshilli Europian për studimet shkencore. Ky është çmimi me vlerën më të lartë monetare që jepet në Europë. Mos mendoni se tani, me këtë shumë të ardhurash, Mezini ka listuar vendet e botës që i kanë mbetur pa parë, për të pushuar. Këtë e bën edhe pa marrë çmime. Kjo shumë parash do të shërbejë që hulumtimet të vazhdojnë për koncepte të reja bazë të programimit. Sfidat e informatikës në ditët e sotme nuk mbarojnë kurrë, kështu që asnjëherë nuk mund të rrihet në një vend. Me këtë çmim, Mira Mezini bëhet kështu shkencëtarja e parë shqiptare, përfaqësuese e Gjermanisë, me një vlerësim të tillë.
Në Shqipëri, dega e Informatikës ka përparuar vetëm vitet e fundit. Si jeni bërë pjesë e kësaj dege?
Ka nisur me fillimin e studimeve të informatikës në Fakultetin e Shkencave Natyrore të Universitetit të Tiranës në vitin 1984. Unë i përkas brezit të parë të informatikanëve që u përgatitën në Shqipëri. Në ato vite teknologjia e informacionit nuk ishte e përparuar jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet perëndimore. Ishte largpamësia e disa figurave të shkencës së asaj kohe si prof. Kristian Bukuroshi dhe prof. Maksi Raco që e bënë të mundur jo vetëm hapjen e kësaj dege në Shqipëri, por për më tepër, përgatitjen e një brezi informatikanësh që sot janë profesionalistë shumë të suksesshëm në Shqipëri dhe në botë.
Pse kishit interes pikërisht për këtë degë, duke qenë që jetonit në një vend që nuk kishte informacion rreth fushës (u referohem viteve ’90)?
Unë kisha interes për matematiken dhe fizikën. Po të mos ishte hapur informatika, ndoshta do të kisha studiuar Inxhinieri Elektronike. Por e mendoni se sa “cool” është për një 17-vjeçare ideja e fillimit të studimeve në një degë që ofrohet për herë të parë në një fushë aq futuriste si ajo e botës dixhitale? Të them të drejtën, nuk e kisha idenë se ç’ishte. E dija që duheshin baza të forta matematike dhe që ishte “cool”, se kishte të bënte me “cyber”, me “realitetin virtual”. Kjo mjaftonte për të ndezur fantazinë e një 17-vjeçareje.
Mandej, si ka evoluar puna dhe interesi, derisa mbërritët në fazën e një çmimi aq të rëndësishëm?
Qëkur fillova fakultetin, e dija se do të vazhdoja një karrierë akademike. Pas mbarimit të studimeve, pasi punova një vit në katedrën e Informatikës në Tiranë, në vitin 1990 m’u dha mundësia për të shkuar për një qëndrim të shkurtër në Qendrën e Informatikës së Universitetit të Siegen-it në Gjermani, në kuadrin e një bashkëpunimi që ky universitet kishte nisur me fakultetin tonë. Ky ishte fillimi i jetës sime në Gjermani dhe shansi për të nisur doktoraturën atje, të cilën e mbarova në vitin 1997, po në Universitetin e Siegen-it. Në këtë kohë zhvillova pasionin për punën kërkimore dhe vura bazat e një karriere akademike internacionale. Pas doktoraturës m’u ofrua pozicioni i asistentprofesorit në Universitetin Northeastern në Boston, mbasi rezultatet e punës sime u ishin njohur kolegëve të së njëjtës fushë atje.
Në vitin 2000 fillova në Universitetin Politeknik të Darmstadt-it, një nga fakultetet më prestigjioze të informatikës në Gjermani, në nivelin “Associate Professor”, pasi fitova një konkurs për këtë pozicion. Në vitin 2002 pozicioni u promovua në nivelin “Full Professor”, pas një oferte të një pozicioni të tillë nga një universitet tjetër politeknik gjerman. Vendosa të qëndroj në Darmstadt dhe që prej kësaj kohe drejtoj këtu katedrën e Inxhinierisë Software. Çmimi është rezultat i një pune të pasionuar që më jep një kënaqësi duke më sfiduar vazhdimisht. Kam synuar gjithmonë për të publikuar rezultatet e punës sime në organet ndërkombëtare më elitare të fushës si për vete, ashtu dhe për punonjësit e ekipit tim. Por them se baza e mirëfilltë e suksesit tim është hedhur gjatë studimeve në Tiranë. E kam thënë edhe në intervista të tjera se për përgatitjen e akademikëve dhe të elitave të një shoqërie, më e rëndësishme se niveli i teknologjisë në fushën e studimit janë aftësitë në nivelin mbiteknik si të menduarit analitik faktual, aspirimi për të arritur diçka të veçantë, si të thuash “për të ndryshuar botën”, nxitja e kureshtjes për të kapërcyer kufijtë e dijes, për vete kënaqësinë që të jep kjo gjë. Brezi im i studimeve u “rrit” me një frymë të tillë nga pedagogët tanë.
Një punë kaq intensive sa juaja, ma do mendja që lë pak pas dore pjesën tjetër, atë sociale e familjare. Çfarë ekuilibrash keni vendosur, si bashkëjetojnë të dyja?
Gjetja e këtij ekuilibri është një sfidë për çdo lloj pune intensive, aq më tepër për punë kërkimore, e cila është njëkohësisht edhe pasion e kënaqësi. Pa e mohuar se është një “luftë” që më duhet ta luftoj çdo ditë, them se shumicën e kohës e fitoj. Kam një familje të mrekullueshme, një bashkëshort gjerman që ndan me mua të njëjtin profesion dhe shumë interesa intelektuale, si p.sh. për muzikën klasike dhe xhazin, për pikturën, por dhe dëshirën për të ardhur në Shqipëri, një vajzë të vogël që thotë se është gjermane edhe shqiptare, prindër dhe një vëlla të mrekullueshëm që i vizitoj e më vizitojnë shpesh dhe që më mbështesin me shumë dashuri në çdo hap. Shoqëria nuk më mungon jo vetëm në Gjermani apo Shqipëri, por në të gjithë botën; udhëtojmë shumë nëpër botë dhe mbrëmjet me shoqëri në prani të një darke dhe vere të mirë e një bisede interesante janë elemente shumë të rëndësishme të jetës sonë. Por, sigurisht, edhe puna. Në fakt unë nuk i ndaj në mënyrë strikte punën dhe jetën sociale e familjare. Pjesën më të madhe të punës për projektin që paraqita për çmimin europian që mora para disa javësh e kam bërë gjatë qëndrimit pranë familjes dhe shoqërisë në Tiranë, në periudhën e ndërrimit të viteve 2011-2012.
Marrë nga Panorama