Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar sot një deklaratë për gjenocidin serb në Srebrenicë të ndodhur në vitin 1995. Për miratimin e kësaj deklarate ka shkruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
I pari i ekzekutivit, Albin Kurti ka thënë se me anë të kësaj deklarate Kosova solidarizohet me të mbijetuarit dhe familjet e viktimave të këtij gjenocidi si dhe me kujtimin e Srebrenicës si kujtesë për të parandaluar tragjedi të këtij lloji në të ardhmen.
“Përmes kësaj deklarate, shteti ynë nëpërmjet Kuvendit të Kosovës, duke riafirmuar kundërshtimin e Republikës së Kosovës ndaj mosndëshkimit të gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës ose shkeljeve të tjera të së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe të drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, si dhe për të kërkuar paqen e qëndrueshme, drejtësinë, të vërtetën dhe pajtimin, e vlerëson lartë miratimin e Rezolutës nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara për Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe të Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë”, ka shkruar kryeministri Albin Kurti.
Sipas kryeministrit Albin Kurti, Republika e Kosovës e respekton Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë.
“Gjithashtu, me anë të kësaj deklarate, Republika e Kosovës solidarizohet me të mbijetuarit dhe familjet e viktimave të këtij gjenocidi si dhe me kujtimin e Srebrenicës si kujtesë për të parandaluar tragjedi të këtij lloji në të ardhmen. Për këto arsye dhe të tjera që rrjedhin prej tyre, Republika e Kosovës e respekton Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë, për çka angazhohet për organizimin e aktiviteteve të ndryshme përkujtuese dhe në nderim të viktimave”, shkruan ndër të tjera Albin Kurti.
Kryeministri Albin Kurti tha se Kosova as nuk harron dhe as nuk i fal krimet e gjenocidit, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të kryera nga shteti i Serbisë mbi popullin e Kosovës në të gjitha etapat dhe veçanërisht gjatë viteve 1998-99.