Këshilli Bashkiak Durrës miratoi sot me shumicë votash 18 pika të rendit të ditës, ndërkohë që pika nr.19, që lidhet me zgjedhjen e zëvendës kryetarit të Këshillit Bashkiak u shty për mbledhjen e ardhshme.

Deri më tani, këtë post e ka mbajtur këshilltarja Alneida Rroshi, e cila pak javë më parë fitoi konkursin për postin e Drejtoreshës Ligjore në bashki, e për pasojë nuk mund t’i mbajë të dy postet, pasi bie ndesh me rregulloren e Këshillit Bashkiak.

Gjatë diskutimeve për pikën nr.13 të rendit të ditës, që lidhej me miratimin e listës me 359 emra që do të përfitojnë prej programit të kredisë së lehtësuar për strehim, me interes 3%, këshilltarja Kontjana Kuçi ngriti shqetësimin për përsëritje emrash në listë dhe përfshirjen e personave që kanë lidhje me këshilltarëve të PS.

“Lista ka disa emra që janë të përsëritur. Po themi 2 ose 3 emra janë përsëritur nga 2 herë. Nuk e di nëse është lapsus apo ka ndonjë qëllim tjetër. E dyta, shoh që disa nga emrat kanë lidhje me këshilltarë të PS, dua ta evidentoj këtë, po ashtu edhe me punonjës të bashkisë dhe ish-punonjës të bashkisë. Kështu që mendoj që një pjesë e listës është për të bërë qokat e fushatës”.

Pretendimeve të këshilltares Kuçi, nënkryetari i bashkisë Gentian Kallmi iu përgjigj: “Çdo subjekt, individ që përmbush kushtet për strehimin duhet të trajtohet me program strehimi, ashtu siç mund të ketë edhe familjarë të këshilltarëve të opozitës”.

Si në çdo mbledhje të KB-së, pikat që lidhen me procesin e rindërtimit nuk mungojnë. Pyetjes së ngritur nga këshilltarët e PD-së lidhur me shpërndarjen e bonusit të qirasë, i cili nuk akordohet më që nga marsi i vitit të kaluar bashkia deklaroi se fondet do të përdoren për riforcimin e godinave të dëmtuara nga tërmeti.

“Kemi bëtë një analizë të detajuar si bashki dhe kemi vendosur që me buxhetin e vitit 2024 këto fonde që ne mendojmë t’i rialokojmë për rindërtimin, t’i rialokojmë për objektet për të cilat nuk kemi financim në mënyrë që të zgjidhet problematika dhe jo të zvarritet nëpërmjet dhënies së bonuseve. D.m.th. fondet që ne mendojmë t’i angazhojmë me buxhetin e bashkisë kemi menduar që është më e drejtë të shkojnë në objekte sesa në bonuse”,– tha nënkryetari Kallmi.

M.B.