Mbledhja e radhës e këshillit bashkiak të Durrësit u zhvillua pa praninë e socialistëve, të cilët shkuan në takimin e kryetarit Rama. Vetëm me 25 votat e djathta u miratohen listat e personave që përfitojnë kredi të butë, ndërsa u shtynë për mosarritje kuorumi pikat që trajtonin privatizimin dhe dhënien me qira të disa objekteve shtetërore
Këshilli Bashkiak i Durrësit nuk ka miratuar në mbledhjen e radhës disa pika të rëndësishme, për shkak se në këtë mbledhje kanë munguar këshilltarët e majtë. Sipas Kryetarit të Këshillit Bashkiak, Indrit Hamiti,- “mungesa e këshilltarëve të majtë në mbledhjen e radhës mund të konsiderohet papërgjegjshmëri, për faktin se lajmërimi për të është bërë që 5 ditë më parë.
Duke pasur parasysh faktin se kryetari i PS-së Edi Rama do të zhvillonte një takim në Durrës në orën 18.00, u ra më pas dakord nga të gjitha palët që mbledhja e Këshillit Bashkiak të zhvillohej në orën 16.00 të ditës së premte. Pavarësisht nga ky lëshim, këshilltarët e majtë dhe kryetari i Bashkisë, Vangjush Dako, nuk kanë marrë pjesë në mbledhjen ku do të shqyrtoheshin disa çështje që kanë të bëjnë me interesat e qytetarëve”. Në këto kushte është miratuar me 25 votat e të djathtëve lista prej 381 personash që përfitojnë kredi të buta.
381 qytetarë durrsakë kanë përfituar nga kreditë e buta, për shkak se në këtë mbledhje janë miratuar të dy listat me emrat e personave që do të përfitonin këto kredi. Ndër çështjet që mbetën pa u trajtuar për shkak se kërkonin kuorumin e nevojshëm të votave (2/3) ishin dhe ato që kishin të bënin me miratimin e privatizimit të bibliotekës së fëmijëve, miratimin e privatizimit të ndërmarrjes makina–impeks, miratimin e privatizimit të ndërmarrjes “Uzina Mekanike Bujqësore“, miratimin e dhënies me qira të palestrës sportive me sipërfaqe të përgjithshme 427 m² katrorë në administrim të klubit shumësportësh “Teuta” për një afat 3 vjeçar, nëpërmjet konkurrimit publik.
Projekt-buxheti vazhdon të vonohet nga administrata e bashkisë, gjë që po mban të bllokuara një pjesë të investimeve për qytetin. Kryetari i këshillit bashkiak, Indrit Hamiti ka kërkuar transparencë për buxhetin me grupet e interesit, ndërkohë që kryetari Dako ka deklaruar se buxheti do të paraqitet për miratim pas dy javësh
Ndërkohë, as në këtë mbledhje të këshillit bashkiak nuk ishte parashikuar që të diskutohej draft buxheti i bashkisë së Durrësit. Sipas kryetarit të këshillit bashkiak të Durrësit, Indrit Hamiti,- “pushteti lokal nuk ka paraqitur akoma draftin e projekt-buxhetit, ndonëse i është dërguar zyrtarisht një shkresë administratës së bashkisë për ta paraqitur sa më shpejt këtë draft”.
Hamiti ka shtuar se ashtu si u iniciuan disa tryeza të rëndësishme për transparencën e paketës fiskale, prioritetet e investimeve (ku një rëndësi e veçantë ju dha mjedisit), nevojitet që edhe projekti i draft buxhetit t´i nënshtrohet transparencës së nevojshme me grupet e interesit dhe qytetarët dhe jo të paraqitet për miratim në ekstremet e afateve ligjore. Ndërkohë, në lidhje me këtë çështje Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, është shprehur se,- “draft buxheti do të paraqitet në 2 javët e ardhshme, por buxheti paraqitet i limituar për shkak të tarifave të ulëta të taksave që ka miratuar Këshilli Bashkiak, gjë që do të reflektohet në nivelin e shërbimeve ndaj qytetarëve“.