Parlamenti miratoi me 73 vota pro, 23 kundër dhe 4 abstenime ligjin “Për Mbrojtjen e Bimëve”, i hartuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Ndryshimet në ligj janë në një linjë me legjislacionin evropian, duke u përafruar me standardet e BE-së.

Gjatë fjalës së saj në Kuvend përpara votimit të projektligjit, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca tha se “Ligji ka për qëllim të forcojë rregullat për mbrojtjen e bimëve, produkteve bimore dhe objekteve të tjera nga dëmtuesit, si dhe të parandalojë hyrjen dhe përhapjen e dëmtuesve të rregulluar karantinorë dhe jokarantinorë në territorin e Republikës së Shqipërisë”.

Ligji tashmë bën të mundur regjistrimin e operatorëve profesionistë dhe do të ndikojë pozitivisht në formalizimin e fermerit, hartimin e planeve kombëtare të kontrollit me bazë risk,  gjurmueshmërinë; implementimin e “Pasaportës Bimore”, me zero kosto financiare, e cila lehtëson procedurat për fermerin dhe biznesin; përcaktimin e listës të dëmtuesve karantinorë dhe listës së dëmtuesve jokarantinorë, harmonizuar me listën e re të BE-së.

Për herë të parë parashikohet lista e agjentëve të kontrollit biologjik që lejohen të importohen dhe përdoren, duke ulur përdorimin e produkteve të mbrojtjes së bimëve. Agjentët e kontrollit biologjik kanë përdorim të gjerë në kontrollin e dëmtuesve në bujqësinë organike.

Agjentët e kontrollit biologjik janë organizma që luftojnë dëmtuesit e bimëve, një mënyrë biologjike, e cila në vendet e BE ka përdorim gjithmonë e më të gjerë.