TIRANË, 4 prill 2013– Aldo Bumci, Halim Kosova dhe Florion Mima janë ministrat e rinj të qeverisë 'Berisha’, ndërkohë që Myqerem Tafaj do të mbajë postin e zv/kryeministrit. Kuvendi miratoi sot me 72 vota pro ministrat e rinj të kabinetit qeveritar, në vendet e mbetura bosh, pas tërheqjes së Lëvizjes Socialiste për Integrim(LSI), nga koalicioni qeverisës.
Ish-deputetët socialist Asllan Dogjani dhe Gjovalin Kadeli votuan pro, ndërkohë deputetët e LSI sic kishin paralajmëruar abstenuan në votim. Deputeti Kastriot Islami votoi pro ndryshimeve, ndërkohë deputeti Dritan Prifti nuk ka qenë prezent në sallë.
Kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi ashtu paralajmëroi ka votuar pro ndryshimeve në qeveri, me përjashtim të shkarkimit të Ministrit Jashtëm Edmond Panariti, një nga mbështetësit e rezolutës Çame. Kreu i PBDNJ, Vangjel Dule votoi kundër dekreteve.
Kuvendi votoi me 75 vota pro për shkarkimin e Haxhinastos në krye të METE.
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, dekretoi mbrëmë, pak para mesnate, ministrat e rinj, të emëruar më herët nga kryeministri Sali Berisha. Ky i fundit, pasditen e djeshme, pas largimit të LSI-së nga qeveria, ku mbante tre poste të rëndësishme, emëroi ministrat e rinj, që do të votohen sot në parlament.
Kështu në postin e ministrit të Jashtëm, në vend të Edmond Panariti është emëruar Aldo Bumci, i cili lë kështu ministrinë e Kulturës, ku zëvendësohet nga Visar Zhiti, një shkrimtar i njohur.
Në ministrinë e Ekonomisë, në vend të Edmond Haxhinasto shkon Florion Mima, aktualisht deputet i Partisë Demokratike, ish-zv/ministër i Financave. Ndërsa në ministrinë e Shëndetësisë u emërua mjeku i njohur Halim Kosova, aktualisht drejtor i spitalit gjinekologjik "Mbretëresha Geraldinë" në Tiranë. Ndërsa posti i zv/kryeministrit do të mbahet nga ministri aktual i Arsimit, Myqerem Tafaj.
EMËRIMET
Halim Kosova
72 vota pro
58 vota kundër
Aldo Bumci
72 vota pro
59 vota kundër
3 vota abstenime
Florion Mima
72 vota pro
59 vota kundër
Visa Zhiti
72 vota pro
57 vota kundër
4 vota abstenime
Myqerem Tafaj
72 vota pro
59 vota kundër
3 vota abstenimeSHKARKIMET
Edmond Haxhinasto
75 vota pro
55 kundër
Edmond Panariti
74 vota pro
Vangjel Tavo
74 vota pro
PRESIDENCA: SOT BËHET BETIMI I MINISTRAVE TE RINJ
Presidenca nëpërmjet një njoftimi për mediat bën me dije se: “Sot në ora 18:00, në mjediset e Institucionit të Presidentit të Republikes do të zhvillohet ceremonia e betimit të ministrave të rinj të kabinetit qeveritar, përkatësisht, Zevendëskryeministrit dhe Ministrit te Arsimit dhe Shkencës, zotit Myqerem Tafaj; Ministrit të Shëndetësisë, zotit Halim Kosova; Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, zotit Florjon Mima dhe Ministrit të Turizmit, Kultures, Rinise dhe Sporteve, zotit Visar Zhiti, te dekretuar nga Presidenti i Republikes, Bujar Nishani dhe të miratuar nga Parlamenti në seancën e sotme plenare.
BERISHA-PS: PERMBYSET PERPJEKJEN PRIMITIVE TE RAMES PER QEVERI TEKNIKE
Pas votimit të ndryshimeve në kabinetin qeveritar, kryeministri Berisha përgëzoi deputetët, për atë që ai e quajti përmbysje të përpjekjes primitive të kryetarit të opozitës për të shkuar në qeveri teknike.
“Me këtë votë historike ju përmbyset një përpjekje primitive të Edvin Ramës për të shkuar në qeveri teknike, me të cilën dështoi. Zotërinj deputetë të PS-së, në minorancë e nisët, në minorancë e sosët, minorancë do të ktheheni, në minorancë do të mbeteni.”- u shpreh Berisha.
KUVENDI MIRATON LIGJIN "PËR DEKORATAT", SHTYN VOTIMIN E KODIT CIVIL
Kuvendi miratoi të enjten me 127 vota ligjin "Për Dekoratat, titujt e nderit, medaljet dhe titujt vendorë të nderit".
P/ligji përcakton të gjitha llojet e dekoratave dhe medaljeve, si dhe autoritetet shtetërore kompetente, rregullat, procedurat dhe kriteret për propozimin, shqyrtimin, dhënien dhe mbajtjen e tyre.
Ndërkohë, në seancën e sotme grupet parlamentare, me konsensus, ranë dakord për shtyrjen e votimit të disa ndryshimeve në kodin civil dhe në kodin e procedurës civile, të diskutuara në parim gjatë seancës së sotme. Paketa e ndryshimeve në këto dy kode ka në fokus eficencën e sistemit gjyqësor, si një nga shtyllat kryesore të reformës në drejtësi.
NDËRPRITET PËR DISA MINUTA SEANCA PLENARE, PAS KËRKESËS SË GRUPIT TË PD-së
Kuvendi ka ndërprerë për disa minuta punimet e seancës së sotme plenare, pak çaste para nisjes së procesit të votimit të çështjeve të parashikuara në rendin e ditës.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, i kërkoi kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, që të ndërpresë seancën për një pushim pesë minutësh. Kjo e fundit, duke iu referuar axhendës parlamentare, kërkoi sërish të hedhë në votim tre ligjet e integrimit, që presin të votohen që nga muaji tetor i vitit të kaluar.
Seanca e sotme është parashikuar me shumë interes, pas zhvillimeve të vrullshme politike të ditëve të fundit, ku Lëvizja Socialiste për Integrim u largua nga koalicioni qeverisës, për t'u bashkuar në një aleance paraelektorale me Partinë Socialiste të opozitës.
DISKUTOHET LIGJI I RI 'PËR DEKORATAT DHE MEDALJET'
"Për Dekoratat, titujt e nderit, medaljet dhe titujt vendorë të nderit", është projektligji i propozuar nga Ministria e Drejtësisë, që po shqyrtohet të enjten në Kuvend. Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, tha se p/ligji përcakton të gjitha llojet e dekoratave, titujve dhe medaljeve, si dhe autoritetet shtetërore kompetente, rregullat, procedurat dhe kriteret për propozimin, shqyrtimin, dhënien dhe mbajtjen e tyre.
Drafti përcakton të gjitha institucionet që kanë të drejtë të bëjnë propozime për dhënien e dekoratave apo titujve të nderit, duke i kufizuar ato vetëm në 9 drejtues institucionesh, si kryetari i Kuvendit, kryeministri, ministrat apo dhe kryetarët e gjykatave dhe të Akademisë së Shkencave.
Ligji i ri parashikon që Presidenti mund të japë 12 lloje dekoratash dhe titujsh të ndryshëm, duke filluar nga më i rëndësishmi që është dekorata "Urdhri i Flamurit" dhe për të vijuar më pas me dekorata dhe tituj të tjerë më pak të rëndësishëm. Ndërkohë që Kuvendi me propozim të 1/5 së deputetëve jep medaljen "Qytetar Nderi i Republikës së Shqipërisë", për personalitete shqiptare ose të huaja, për vepra me efekte të spikatura në historinë dhe kulturën e kombit shqiptar, të cilat njihen si arritje madhore. Ndërsa kryeministri dhe ministrat mund të japin medaljen "Mirënjohje publike" dhe "Vlerësim profesional".





