Nëpërmjet vendimit të miratuar ditën e djeshme, qeveria ka përcaktuar kufijtë e pagave të funksionarëve të zgjedhur e të emëruar, të nëpunësve civilë e të punonjësve administrativë të njësive të vetëqeverisjes vendore, por edhe shtesat mbi pagat në formën e shpërblimeve.
Sipas këtij vendimi, saktësohen edhe një herë pagat e 61 kryebashkiakëve, ku pagën më të lartë e ka ai i Bashkisë së Tiranës duke marrë parasysh këtu edhe numrin të madh të banorëve, numër i cili përdoret si kriter bazë për përcaktimin e kufijve të pagave.
Duke nisur nga numri i popullsisë, Erion Veliaj ka një pagë që varion nga 140 000 – 174 760 lekë, ndërsa pas tij vjen kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, paga e të cilit varion nga 130 000 – 155 000 lekë. Ndërsa paga e nënkryetarëve të bashkisë së Durrësit shkon nga 100 000 – 129 000 lekë.
Pagat:
Për bashkinë e Tiranës
Kryetari: 140 000 – 174 760 lekë;
Nënkryetari: 130 000 – 140 000 lekë.
Për bashkitë me 200 001 – 400 000 dhe me mbi 400 000 banorë:
Kryetari: 130 000 – 155 000 lekë;
Nënkryetari: 100 000 – 129 000 lekë.
Për bashkitë me 100 001 – 200 000 banorë:
Kryetari: 110 000 – 140 000 lekë;
Nënkryetari: 70 000 – 117 500 lekë.
Për bashkitë me 50 001 – 100 000 banorë:
Kryetari: 70 000 – 117 500 lekë;
Nënkryetari: 60 000 – 95 000 lekë.
Për bashkitë me 20 001 – 50 000 banorë:
Kryetari: 60 000 – 95 000 lekë;
Nënkryetari: 45 000 – 80 500 lekë.
Për bashkitë me deri në 20 000 banorë:
Kryetari: 45 000 – 80 500 lekë;
Nënkryetari: 28 300 – 70 500 lekë.





