Këshilli Bashkiak Durrës ka miratuar me 29 votat pro të këshilltarëve socialistë dhe 9 votat kundër të këshilltarëve të opozitës buxhetin e vitit të ardhshëm.

Me një rritje 6% në krahasim me buxhetin e vitit 2025, buxheti i 2026 kap vlerën 6.85 miliardë lekë.

Në prezantimin e saj para këshilltarëve, kryebashkiakja Emiriana Sako deklaroi se 44% e buxhetit shkon për investime, ndërsa 30% e tij, ose më saktë rreth 2 miliardë lekë shkon për pagat dhe sigurimet e punonjësve të organikës së bashkisë.

Sektorët që marrin “pjesën e luanit” në buxhet janë arsimi me 18%, infrastruktura rrugore dhe transporti publik me 17%, planifikimi, menaxhimi dhe administrimi me 15% dhe menaxhimi i mbetjeve me 14%.

Këshilltari i PD Ardian Muka kërkoi nga bashkia që mbledhja për buxhetin të bëhet në fillim të dhjetorit, pasi 5 ditë kohë janë të pamjaftueshme për ta studiuar dhe kundërshtuar buxhetin dhe paketën fiskale. Njëkohësisht ai vuri në dukje një pasaktësi në prezantimin e buxhetit nga kryebashkiakja Sako.  

“Në paraqitjen që bëri kryetarja e bashkisë, në parashikimin që ne kemi për buxhetin e vitit 2026 të ardhurat janë 6.8 mld lekë, të cilat sipas prezantimit janë 68 mln dollarë. Sështë e vërtetë, me kursin e Bankës së Shqipërisë, sot janë 83 mln dollar, ose në euro janë 70 mln euro. Ne nuk kemi pse ta paraqesim fare buxhetin në monedha të huaja”, tha Muka.

Ndërsa kreu i këshilltarëve të PD, Dritan Burgija e vuri theksin në ndryshimet me vitet zgjedhore të buxhetit, ku spikasin investimet e ndryshme.

Një tjetër pikë e rëndësishme e mbledhjes ishte dhe paketa fiskale e vitit të ardhshëm, që u miratua me 28 votat pro të mazhorancës, ndërsa 9 këshilltarët e opozitës votuan kundër.

Në mbledhje ra në sy mungesa e këshilltarëve të disa partive të vogla, që pavarësisht se kjo ishte mbledhja më e rëndësihme e vitit nuk morën pjesë.

7 pikat e tjera në rendin e ditës, pavarësisht diskutimeve, u miratuan në mënyrë unanime, ose vetëm me votat pro të maxhorancës socialiste.

M.B.