Kryeministri i vendit, Sali Berisha, në mbledhjen e parë të qeverisë për vitin 2013 ka folur për vendimin për heqjen e Tatimit të Vlerës së Shtuar për importimin e makinerive prodhuese.
Berisha u shpreh se me këtë vendim, Këshilli i Ministrave i heq buxhetit të shtetit rreth 120 milionë euro por nga ana tjetër nxit hapjen e vendeve të reja të punës dhe rritjen e prodhimit të brendshëm.
“Heqja e TVSH për makineritë prodhuese të të gjitha niveleve të bizneseve. Do të jenë me zero për bizneset e vogla dhe të mesëm. I japim nxitje rritjes së prodhimi të vendit dhe punësimit. Buxheti do humbasë së paku 120 milionë euro por këto do të përkthehen në dhjetëra e dhjetëra vende pune dhe njësi prodhimi”, u shpreh Berisha.
Gjatë mbledhjes së qeverisë, ai i kërkoi Ministrit të Kulturës, Rinis dhe Sportit që të punojë me homologun e tij kosovar për shkrirjen në një të ligës së futbollit për të dy vendet. Gjithashtu Berisha tha se me Kosovës dhe Shqipërisë duhet punuar për heqjen e barrierave për sa i takon valëve televizive.
“Zoti Ministër i Kulturës këtë vit duhet të fillojë veprimtarinë liga mbarë kombëtare e futbollit. Uluni dhe bëni projektin bashkë me ministrin kosovar. Ta gjuajmë mbarë kombëtare. Tifozi i Mitrovicës të vijë në shohë ndeshjen Flamurtari-Mitrovica. Të përfshihen të gjitha skuadrat. Kjo është rruga për të shpalosur të gjithë potencialet dhe talentet në futboll. Ta nisim me futbollin dhe të fuqizojmë tregun e futbollit për të ndierë një numër sa më të madh yjesh”, tha kryeministri.
“Hapësirë unike të valëve. Të gjitha mediat e Kosovës të kenë licencë. RTSH duhet t’u krijojë pikat e transmetimi të gjitha medieve të Kosovës të vendosin antenat e tyre dhe ato të shihen nga Konispoli gjer në Vermosh. Sikur, do të bisedohet me qeverinë e Kosovës që mediet e Shqipërisë të mbulojnë hapësirën mediatike të Kosovës. Nuk është se nuk ekziston, mirëpo është me pagesë por do punojmë që të funksionojë forma pa pagesë”, ka shtuar ai.
Në këtë kuadër kryeministri theksoi, “se jetojmë në pesë shtete dhe kjo nuk do të thotë se jemi pesë kombe. Jemi një dhe të mos mendojë askush kurrë se ekzistenca jonë në pesë shtete do mund ta interpretojë si për pesë kombe shqiptare”.
Kryeministri Berisha i bëri apel të gjithë kabinetit të tij të rrisin sa më shumë komunikimin me qytetarët. Ai kërkoi që ministrat e zv/ministrat të bëjnë publik numrat e celularëve që ua rimburson qeveria, në mënyrë që qytetarët të kontaktojnë me ta për çdo problem.
“Ministra unë kërkoj nga ju dhe gjithë zyrtarët që kanë telefona të subvencionuar nga qeveria që ta afishoni numrin në faqen e ëebit të qeverisë, këta numra i kemi për publikun. Komunikoni me ta. Shfrytëzoni FCB për të folur me qytetarët”, tha ai.
Sipas kryeministrit është e një rëndësie të madhe vendosja e një numri jeshil në çdo ministri, ku qytetarët të telefonojnë pa pagesë për të denoncuar çdo rast korrupsioni.
“Kryeministri është i detyruar t’ju përgjigjet qytetarëve, unë s’ju dal dot borxhit për atë që ata kanë bërë, mbaj raport konstant me qytetarin. Këtë gjë duhet të bëni edhe ju. Kërkoj që brenda dhjetë ditëve të instalohet një linjë falas për qytetarin në ministri, numër jeshil në cdo ministri që qytetari të denoncojë rastet e korrupsionit. Të vjelim sa më shumë mendimet e tyre”, tha Berisha më tej.