* Studentët shqiptarë pagesa nga 1-2 mijë euro për studime në universitetet shtetërore, miratohet ligji në orët e para të mëngjesit

* Drafti për arsimin e lartë parashikon rritjen e tarifave për studimet e larta, financimin e universiteteve private, kalimin e pronave publike për universitetet private dhe vendosjen e një barazitizimi mes arsimit të lartë publik dhe atij privat

22 korrik 2015 – Me 78 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Parlamenti Shqiptar ka miratuar në orët e para të mëngjesit një prej projektligjeve më të rëndësishme, më të debatuara dhe më të kontestuara në historinë e pluralizmit shqiptar. Pas gati 9 orë debatesh maratonë, mes tensioneve dhe pasigurive, mazhoranca qeverisëse ka miratuar draftin më të kontestuar në 25 vitet e fundit, pasojat e të cilit mund të jenë të paparashikueshme. Ndërsa opozita braktisi sallën në momentet e fundit sa për të larë gojën dhe për t'u hedhur hi syve shqiptarëve, shumica në pushtet votoi e vetme draftin për arsimin e lartë, i cili parashikon rritjen e tarifave për studimet e larta, financimin e universiteteve private, kalimin e pronave publike për universitetet private dhe vendosjen e një barazimi mes arsimit të lartë publik dhe atij privat.

"Ne e kemi shprehur mendimin kundra këtij projektligji. Ligji nisi si pazar, vazhdoi si pazar dhe përfundoi si pazar. Ndaj ne nuk bëhemi pjesë e këtij pazari", deklaroi kryetari i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka. Ndërkaq, sistemi i votimit elektronik në Parlamentin Shqiptar nuk ka funksionuar gjatë votimit nen për nen. Sistemi funksionoi normalisht vetëm gjatë votimit përfundimtar të projektligjit.

Berisha dhe Basha në mbështetje të draftit

Surpriza, kthesa të befasishme dhe aleanca të dyshimta politike në seancën e jashtëzakonshme të Parlamentit Shqiptar, ku u diskutua deri pas mesnate ligji për arsimin e lartë. Në seancën speciale, pavarësisht polemikave, lojërave dhe akuzave, u konfirmua edhe një herë aleanca gjysmë e fshehtë mes Sali Berishës, Edi Ramës dhe Lulzim Bashës për të mbështetur projektligjin që godet fatalisht universitetet publike në Shqipëri, duke i dhënë në të njëjtën kohë, prona publike dhe financuar me paratë e buxhetit të shtetit UET e Henri Çilit, beniaminit të Sali Berishës dhe Lulzim Bashës. E gjithë seanca është karakterizuar nga flirtimet, negociata dhe pëshpëritjet në vesh mes Berishës dhe përfaqësuesve të mazhorancës për miratimin e draft- it.

Sipas burimeve, Berisha ka propozuar miratimin e draftit, por me kushtin që projektligji të shtyhej për pak kohë, me qëllim miratimin e një amendamenti për të mbrojtur shtresat e varfra. Pas retorikës në foltoren e Kuvendit, Berisha ka komunikuar me ministren Nikolla dhe përfaqësues të tjerë të shumicës në pushtet, për çështjen e amendamentit. Pasi mbështetën për një vit e gjysmë nismën në heshtje, Sali Berisha dhe Lulzim Basha, dolën dje më të fituarit nga seanca plenare, pasi arritën të jetësonin interesat e Henri Çilit, ish-anëtar i KOP, universiteti i të cilit dihet se u ngrit dhe lulëzoi në kohën e Berishës. Por, atë që nuk e bëri Berisha, pra për të financuar UET me paratë e buxhetit, fatkeqësisht e bëri Edi Rama, duke i ngarkuar një kosto të madhe Partisë Socialiste. Me sa duket, Edi Rama është i pafuqishëm përballë metastazave të Sali Berishës në qeverinë e "Rilindjes". Kryeministri Rama, i cili ka lënë qindra mijëra socialistë rrugëve, duke paguar kamikazët e Berishës në zyrat e shtetit, mbrojti me vendosmëri deri në fund një projektligj, i cili financon dhe i jep prona klikës që kontrollohet nga Berisha dhe Basha.

Rriten tarifat

Projektligji i ri për arsimin e lartë mbyll dyert e universiteteve për të rinjtë e shtresave të varfra. Drafti pamundëson të rinjtë e varfër që të ndjekin studimet e larta. Tarifat për të ndjekur studimet në një universitet shtetëror do të shkojnë nga një mijë deri në dy mijë euro. Mijëra të rinj, pavarësisht aftësive, nuk do ta përballojnë dot financiarisht arsimimin. Qeveria pretendon se do të financojë të varfrit, por ligji dhe sistemi nuk jep asnjë garanci. Po ashtu, ligji vendos barazitizëm mes universiteteve publike dhe atyre private, parashikon rritjen e tarifave për studentët, ndërsa godet autonominë e universiteteve. Ndërsa pala tjetër, pretendoi se ligji i jep fund vetëmashtrimit dhe shitjes së diplomave, i jep fund mësimdhënies fiktive, rektorëve të tenderave etj. Mazhoranca, sidomos kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, pretenduan se ligji i ri nuk përmirëson, por sjell revolucion në arsim. Shumica në pushtet shtoi se ky ligj përmbys sistemin aktual të arsimit të lartë, i kthyer në një piramidë. Pjesë e debateve ishte edhe opozita. Vetëm një ditë para hedhjes për miratim dhe në kulmin e presionit të opinionit publik, opozita shqiptare vendosi të thyejë heshtjen, duke larë gojën para shqiptarëve. Opozita shqiptare, pavarësisht lojës së ditëve të fundit, e mbështeti deri në fund këtë projektligj.

/Gazeta 'Sot'/