TIRANË – Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin “Për miratimin në parim të marrëveshjes, ndërmjet Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së madhe e Irlandës së Veriut, për transferimin e personave të dënuar.”, i propozuar nga Ministri i Drejtësisë. 

Qëllimi i kësaj marrëveshje është përcaktimi i kushteve dhe rregullave për transferimin e personave të dënuar nga të dyja shtetet kontraktuese, në funksion të lehtësimit të ri-integrimit social të shtetasve të njërit shtet kontraktues që vuajnë dënimin në shtetin tjetër. 

Në marrëveshje janë parashikuar në mënyrë të hollësishme procedurat që ndiqen nga të dyja shtetet për transferimin e personave të dënuar, vazhdimin e zbatimit të dënimit, si dhe të drejtat dhe trajtimi i personave të dënuar. 

Në marrëveshje janë parashikuar edhe garancitë që gëzon personi i dënuar që transferohet në shtetin marrës.  

Marrëveshja është parashikuar që të zbatohet edhe për dënimet e dhëna para hyrjes në fuqi të saj.