Tryezat e iniciuara nga Këshilli Bashkiak për efikasitetin e buxhetit dhe mbështetjen e arsimit dhe sektorëve të tjerë reflektohen në buxhetin e Bashkisë së Durrësit

Janë dashur plot pesë muaj vonesë dhe pesë orë debat i nxehtë që më së fundi të miratohet buxheti i bashkisë së Durrësit. Në fakt, nuk kishte ndodhur asnjëherë që buxheti të miratohej me një proçedurë kaq të përshpejtuar, gjë që ka shuar çdo paragjykim mbi tentativat bllokuese të mazhorancës ndaj buxhetit. Shenjat ishin dhënë që me miratimin e paketës fiskale dhe proçesin e transparencës që u ndërmor nga Këshilli Bashkiak para miratimit të buxhetit, por edhe me tryezat që në një farë mënyre krijuan një vizion më të plotë mbi orientimet që duhet të ketë një buxhet. Gjithsesi, veç kësaj pjese formale kanë qenë dhe kontaktet verbale të iniciuara nga kryesia e Këshillit Bashkiak, që krijuan, në një farë mënyre, një atmosferë mirëkuptimi dhe përgjegjshmërie në lidhje me gjetjen e konsensusit dhe miratimin e buxhetit të vonuar. Të dyja palët (e djathta dhe e majta) kanë toleruar për të gjetur një kompromis që mbi të gjitha i shërben qytetarëve. Gjithsesi, kryebashkiaku Dako e ka justifikuar vonesën në prezantimin e buxhetit kryesisht me vendimin e Ministrisë së Financave të muajit shkurt për mënyrën e shpërndarjes së fondeve për transfertën e pakushtëzuar.

Mbledhja e fundit e Këshillit Bashkiak tregoi se kur ka vullnet pozitiv dhe kur vihen para interesave politike interesat e qytetarëve, problemet zgjidhen. E majta dhe administrata e bashkisë kanë toleruar në pjesën që ka të bëjë me katër kushte të forta të vëna nga mazhoranca e djathtë në Këshillin Bashkiak, në një kohë që të djathtët kanë toleruar në pjesën e miratimit të disa projekteve për të cilat ata kishin kontestime. Kanë qenë dy momente të vështira në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Durrësit, të cilat u dukën se mund të kompromentonin proçesin e miratimit të buxhetit për vitin 2012. Momenti i parë ka qenë përgjigjja që kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ju ka dhënë disa pyetjeve të ngritura nga ana e këshilltarëve të djathtë, që kishin të bënin me çështje të tilla si mos realizimi i të ardhurave dhe shpenzimeve nga ana e pushtetit lokal,  mos ndarja e banesave sociale për të pastrehët, mungesa e auditimit nga ana e bashkisë për mos realizimet, mos vjelja e taksave, mos bërja e analizës së kostove të shërbimit etj.

Në një situatë të tillë, Dako ka sugjeruar që për çështje specifike të dëgjoheshin drejtorët përkatës të departamenteve, por të djathtët nuk e kanë pranuar këtë sugjerim me argumentin se kryebashkiaku ka pasur kohën e mjaftueshme për të marrë informacionin përkatës. Në një situatë të tillë, kryetari i bashkisë ka zgjedhur një mënyrë tjetër për të  replikuar me të djathtën nga njëra anë, por dhe për të mos i lënë pa përgjigje nga ana tjetër. Ai ka zgjedhur variantin e përgjigjeve me po dhe jo, gjë që ka shkaktuar ilaritet në rradhët e e së djathtës. Përsa i përket pyetjeve që kanë ardhur nga këshilltarët e majtë përmes Gëzim Agasit, Dako ka sqaruar me detaje çështje të tilla si: ndërtimi i rrugës hyrëse të qytetit bregdetar apo dhe ndikimin që ka pasur në buxhet çështja e mosfunksionimit të KRRT-së dhe mos miratimi i planit të ri rregullues. Ndërkohë nënkryetari i bashkisë, Adrian Çela, ka bërë një prezantim të prioriteteve të buxhetit të këtij viti, duke e vënë theksin në drejtim të shpërndarjes së investimeve në të gjithë qytetin, dhënien përparësi të investimeve në infrastrukturë, në zonën turistike dhe atë të ish-kënetës.

Nga ana tjetër, këshilltari i PD-së Seit Kërtusha i ka sugjeruar administratës së bashkisë që të gjejë mënyra më eficente për vjeljen e të ardhurave, pasi me metodat aktuale gjërat nuk po funksionojnë. Sipas Kërtushës, bashkia ka mundësinë të shtojë zërat e taksave për të rritur buxhetin e saj, pasi aktualisht është e paaftë ta bëjë një gjë të tillë. Temperaturat në mbledhjen e Këshillit Bashkiak janë rritur në seancën e diskutimeve ku është vënë re mungesa e kryetarit Dako, i cili është larguar nga salla. Këshilltari i PD-së Armand Teliti e ka konsideruar papërgjegjshmëri dhe mungesë respekti ndaj qytetarëve largimin e Dakos. Në fakt, largimi i kryebashkiakut nga salla ka nënkuptuar në një farë mase dhe mos arritjen e konsensusit për miratimin e emërtimeve të aktiviteteve të kulturës, apo dhe disa pikave të tjera të rëndësishme në buxhet. Teliti ka shkuar dhe më larg duke folur për falimentim të Bashkisë së Durrësit, për shkak të mos realizimit të të ardhurave të vitit të kaluar, paraqitjen me vonesë të buxhetit, mos mbledhjen e taksave, shpenzimet e parave për rroga militantësh etj.

Në të njëjtën linjë me Telitin ka qenë dhe këshilltari Eduard Ndreu, i cili ka deklaruar se bashkisë i mungon vizioni dhe se ka humbur rolin administrues të qytetit. Sipas Ndreut edhe projekti i draft buxhetit ka një paraqitje konstatuese, në një kohë që mungon vizioni i një qyteti port dhe turistik. Si shembull të paaftësisë së bashkisë, Ndreu ka përmendur mos vjeljen e taksave, ndryshe nga drejtoria e tatimeve që e ka tejkaluar planin. Ndreu ka paraqitur propozimet që më pas do të reflektoheshin në buxhetin e ri të vitit 2012. Pas mbledhjes së grupeve dhe akordit mes tyre Këshilli Bashkiak vendosi miratimin e buxhetit të vitit 2012 me ndryshimet e propozuara.

 

  • Për vitin 2011 mungojnë 495 milion lekë ose  27 % më pak se në 2010. Të ardhurat janë realizuar në masën 72%
  • 85% e buxhetit të Drejtorisë së Rrugëve shkon për rroga dhe vetëm 15% për investime
  • Vjelja e taksës së tabelave për qëllime reklamimi është realizuar në nivelin 31%. Në 2010 u realizua vetëm 0.01% e planit
  • Ulet planifikimi i taksës se gjelbërimit në 21 milion, ndërkohë që shpenzimet arrijnë në 60 milion
  • E ardhura nga taksa e plazheve private është realizuar 65%, në një kohë kur nuk ka pasur hapësirë rëre bosh
  • Në total të ardhurat për Bashkinë e Durrësit do të jenë 1.300.000.000 lekë me një shtesë prej 63.300.000 lekë



 

 

Ndryshimet në buxhetin e miratuar

  • Të ardhurat për Bashkinë e Durrësit vendoset të jenë 1.300.000.000 lekë me një shtesë prej 63.300.000 lekë
  • Të mos miratohet shtesa prej 25 punonjësesh për çerdhe, por të merren nga personeli ekzistues në varësi të bashkisë
  • Fondi i projekteve kulturore të aprovohet në total në vlerën prej 15.000.000 lekë dhe përzgjedhja e projekteve fituese të bëhet nga Këshilli Kulturor
  • Diferenca e të ardhurave 63.300.000  +15 milion të shpërndahet si më poshtë :

1) Rikonstruksion i rrugës së “Parthikëve” 12.000.000 lekë

2) Rikonstruksion i rrugës pranë postës 10.000.000 lekë

3) Projekt inxhinjerik për kanalizimet Plazh-Shkozet

4) Rikonstruksion i shkollës “Naim Frashëri”

5) Rikonstruksion i shkollës “Jan Kukuzeli”



 

Objektivat kryesorë të buxhetit

  Vazhdimi i përmirësimit të ndjeshëm të infrastrukturës rrugore

  Perdorimi i mjeteve alternative të financimit me kredi për projektet e Banesave Sociale me qera

  Bashkëfinancimi në projekte në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar të programit të paraaderimit në BE

  Vijimi i investimeve për shtimin sasior dhe cilësor të hapësirave të gjelbërta, përmirësimi i shërbimeve të tjera publike, që ndikojnë pozitivisht për një rritje cilësore të jetës në qytet

  Rritja e shpenzimeve për shërbimet sociale, duke synuar një rritje cilësore dhe sasiore të tyre, por edhe me zgjerim shërbimesh

  Rritja progresive e shpenzimeve në mirëmbajtjen e infrastrukturës së qytetit, kryesisht për rrugët e ndërtuara, objektet arsimore, si dhe shërbimet e tjera publike

  Plani i investimeve kapitale do të vazhdojë me shpërndarjen drejt zonave informale dhe atyre në nevojë, përkundrejt atyre formale dhe kontribuese në buxhetin e bashkisë, duke i dhënë një natyrë sociale rishpërndarjes së kontributeve të komunitetit

  Prezantimi i buxhetit me programe sektoriale dhe prioritare të mbështetura në kostot reale, ku përcaktohen qartë objektivat për çdo sektor si dhe raporti produkt/rezultat