TIRANE- Kryeministri Sali Berisha, njoftoi në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave miratimin në parim të tekstit të marrëveshjes midis tre vendeve: Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë për gazsjellësin Trans Adriatik, TAP. Berisha theksoi se ky është projekti më i madh në historinë e zhvillimit dhe të bashkëpunimit ndërkombëtar të vendit tonë teksa premtoi se në mandatin e 3-të qeveria e tij do të mundësojë gazifikimin e Shqipërisë.
“Sot në këtë mbledhje miratojmë së bashku një marrëveshje e cila është një marrëveshje historike si për zhvillimin dhe bashkëpunimin kombëtar të Shqipërisë, dhe kjo është marrëveshja trilaterale që do firmoset gjatë një afati të shkurtër që vjen mes shteteve, marrëveshja e gazsjellësit TAP. Leverdia është e jashtëzakonshme, por edhe angazhimi i saj për të qenë partner në këtë projekt ka qenë i jashtëzakonshëm, marrëveshja finalizon një kuadër ligjor të domosdoshëm të bashkëpunimit dhe të kalimit të gazsjellësit në territoret e vendeve tona”, theksoi Berisha.
41 miliardë dollarë është investimi për këtë projekt madhor, që sipas kryeministrit do i falë Shqipërisë një mision nevralgjik në fushën e energjisë në rajon.
“Shqipëria merr një mision nevragjik në fushën e energjisë në rajon, pasi vetë pozicioni i saj është shumë i rëndësishëm dhe jo vetëm një vendkalim i gazsjellësit drejt Italisë, por është një potencial i madhe që të shkojë dhe drejt Ballkanit të veriut. Marrëveshja sot miratohet në parim. Është marrëveshje në kuptimin e vërtetë të fjalës historike. Ky projekt bashkë me projektin e Kaskadës së Devollit do e shndërrojnë Shqipërinë në vend të zhvilluar. Kush do mund të imagjinonte ndonjëherë se në 2 projektet më të mëdha në historinë e vendit do kishte peshë kryesore një prej vendeve më veriore të Evropës, Norvegjia”, deklaroi Berisha.