TIRANË,8 shtator 2013-Këshilli Kombëtar i Territorit, (KKT) miraton ndërtimin e objektit fetar të Namazgjasë, por anulon pjesën e objektit me shumë kate në lartësi dhe disa kate nëntokë. Kryeministri Edi Rama mblodhi sot për herë të parë gjatë qeverisjes së tij Këshillin Kombëtar të Rregullimit të Territorit. Në një konferencë për shtyp, Rama bëri të ditur vendimet e para që miratoi në mbledhjen e tij të parë, Këshilli Kombëtar i Territorit.
Një prej vendimeve të miratuara nga KKT është dhe ndërtimi i Xhamisë së re të Namazgjasë, por me projekt të përgjysmuar. Pjesa e dytë e projektit nuk u miratua nga KKT. Rama e argumentoi kështu: 

“Ngjallimi i Namazgjasë, leja ndërtimore komplekse dhe ndërtimi i ndërtesës 3, 4, 6 apo 3 kate nëntokë, KKT, konfirmon pjesën e parë të kësaj leje, ndërkohë që anulon pjesën e dytë të lejes. Pra i hapim rrugë përfundimisht ndërtimit të objektit të kultit, por kemi këputur bishtin godinë me kate që ka shërbyer për të transformuar atë zonë historike të kryeqytetit me një tjetër arsye për të refuzuar këtë mënyrë të të kuptuarit të zhvillimit në kryeqytet. Aty nuk do të ndërtohet gjë veç objektit të kultit”. 

Reagimi i Bashes:

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha tha sot se vendimi për të anulluar një pjesë të projektit të Xhamisë së Madhe të Tiranës, është de fakto dhe de juro anullim i të gjithë projektit.

“Duke anulluar këtë pjesë të zhvillimit, ligjërisht është anulluar ndërtimi i Xhamisë së Madhe. Është anullim i projektit të Xhamisë së Madhe, gjithçka tjetër është broçkull dhe gënjeshtër  e Ramës për qytetarët”- theksoi Basha, gjatë një konference për shtyp, ku denoncoi disa nga, siç tha ai, gënjeshtrat e thëna nga Rama gjatë këtyre ditëve.

 

/ agjencia e lajmeve “Dyrrah”/