Komisioni i Ekonomisë dhe Financave miratoi paketën e rindërtimit të dëmeve që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit bashkë me buxhetin e vitit të ardhshëm. Fondi për rindërtimin do të jetë 20 miliard lekë, ku 13 miliardë janë borxh i buxhetit të shtetit dhe pjesa tjetër prej 7 miliardë lekësh do jenë ndihma.

Deputetët votuan edhe përjashtimet nga taksa e infrastrukturës për ndërtimin dhe TVSH-ja për të gjitha mallrat, shërbimet dhe kompanitë e ndërtimit që do të autorizohen për zbatimin e projektit të riparimit të banesave të dëmtuara nga tërmeti. Në mënyrë që të mos ketë abuzime, lista e përjashtimeve do të hartohet nga Këshilli i Ministrave dhe autorizimin do ta japin drejtoritë e tatimeve dhe doganave.

Bashkë me paketën fiskale, u miratua edhe një propozim i dy deputetëve socialistë Evis Kushi dhe Sadi Vorpsi për të përjashtuar nga tatimi 15% i kalimit të pasurisë së patundshme për pronat që dhurohen brenda familjes, nga prindi te fëmija dhe nga bashkëshorti te bashkëshortja.

Si kufizim u vendos që vlera e pasurisë të mos jetë më e madhe se 30 milionë lekë të rinj dhe shtëpia të jetë banesë e parë që posedohet për marrësin.