Një vaksinë për mbrojtjen e koalave në Australi nga klamidia është miratuar për herë të parë, një hap që, sipas shkencëtarëve, mund të ndalojë përhapjen e kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse që ka shkaktuar një rënie të madhe të popullatës së këtij marsupiali të rrezikuar.
Vaksina me një dozë tashmë është gati për përdorim në nivel kombëtar, si në spitale dhe klinika të kafshëve të egra, ashtu edhe në terren.
Klamidia, një sëmundje seksualisht e transmetueshme që prek edhe njerëzit, është përgjegjëse për deri në gjysmën e vdekjeve të koalave në natyrë. Përveç kësaj, mund të shkaktojë sterilitet dhe verbëri.
“Disa koloni të veçuara po i afrohen çdo ditë e më shumë zhdukjes,” tha Peter Timms, profesor i mikrobiologjisë në Universitetin University of the Sunshine Coast, në një deklaratë për mediat.
Ai theksoi se në disa popullata në juglindje të Queensland-it dhe në shtetin e Uellsit të Ri Jugor, nivelet e infektimit me klamidia janë shpesh rreth 50% dhe në disa raste arrijnë deri në 70%.
Vaksina, e cila u zhvillua nga ekipi i Timms pas më shumë se një dekade kërkimesh, mund të ulë ndjeshëm gjasat që koalat të shfaqin simptoma të klamidias gjatë fazës së tyre riprodhuese, si dhe të reduktojë të paktën me 65% vdekshmërinë tek koalat që jetojnë në natyrë.
“Ajo ofron tre nivele mbrojtjeje, uljen e infektimit, parandalimin e zhvillimit të sëmundjes klinike dhe, në disa raste, rikthimin mbrapsht të simptomave ekzistuese,” deklaroi profesori.
Qeveria australiane ka premtuar 76 milionë dollarë australianë (rreth 50 milionë dollarë amerikanë) për shpëtimin e koalave.
Në vitin 2022, koalat u klasifikuan si specie të rrezikuara për zhdukje në Queensland, Uellsin e Ri Jugor dhe Territorin e Kryeqytetit Australian. Sipas programit kombëtar të Australisë për monitorimin e koalave, në këto rajone kanë mbetur midis 95.000 dhe 238.000 individë.
Ndërkohë, në shtetet e Viktorias dhe Australisë së Jugut, vlerësohet se jetojnë edhe 129.000 deri në 286.000 koala të tjerë.
Popullata e koalave është përgjysmuar gjatë dy dekadave të fundit për shkak të sëmundjeve infektive, humbjes së habitateve natyrore, ndryshimeve klimatike dhe zjarreve të shpeshta, sipas organizatës World Wide Fund for Nature (WWF).





