Drejtoria rajonale e kulturës kombëtare (DRKK) të Durrësit njofton se në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve u miratua ditët e fundit projekti i restaurimit “Hamami mesjetar”, Durrës. Ky është një projekt i hartuar nga specialistët e DRKK-së Durrës. Zbatimi i tij do të mundësojë vizitat e një monumenti të rëndësishëm të qytetit të Durrësit.

Sipas DRKK-së, hamamet, janë vazhdimësi e banjave greko-romake-bizantine. Me këto “banja” (terma– në periudhën romake, hamam– në periudhën osmane, ose spa  –në kohën moderne) pararendëse, ato ruajnë shumë karakteristika të përbashkëta, si nga pikëpamja teknike ashtu dhe funksionale, por nga mënyra se si e trajtonin ujin ka ndryshime. Sipas fesë islame, uji që nuk rrjedh, konsiderohet i ndotur, pra ka disa kritere për ta konsideruar të pastër, të cilat nuk varen vetëm nga cilësia e ujit por dhe nga dinamika e tij. Prandaj në hamame është shumë e rrallë prania e pishinave.

(Foto nga projekti i DRKK-së Durrës)