Tiranë, 31 korrik 2014 – Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar sot me 88 vota pro, 1 kundër dhe 1 abstenim, reformën administrativo-territoriale, për hartën e re me 61 bashki. Ashtu siç ishte paralajmëruar, reforma e shumë diskutuar për ndarjen e re të vendit u miratua me votat e mazhorancës si dhe me votën pro edhe të deputetëve të PDIU-së, si e vetmja parti opozitare që u bë pjesë e konsensusit për këtë reformë.
Në ditën e fundit të seancës plenare, nuk munguan as debatet për reformën territoriale ku ministri i Shtetit për Çështjet Vendore Bledi Çuçi tha se me ndarjen e re e terriorit të Shqipërisë janë bërë lëshime ndaj zonave minoritare si asnjë vend në Europë, duke shtuar se përfitojnë të gjithë shqiptarët.
Kjo deklaratë erdhi në kundërpërgjigje të kreut të PBDNJ-së Vangjel Dule i cili ripërsëriti edhe në këtë seancë, votën e tij kundër me akuzat se reforma bazohet në elementë elektoralë. Ai tha se vetëm referendumi e zgjidh problemin sipas tij, të bashkimit të Himarës me Vranishtin.
Pavarësisht bojkotit të shpallur të opozitës, në seancën e fundit të parlamentit për këtë sesion, morën pjesë edhe 6 deputetë nga opozita, kreu demokristian Nard Ndoka dhe 5 deputetët e PDIU-së. Kreu i PDK-së e ka cilësuar jo konsensuale reformen, duke deklaruar qëndrimin për kalimin nga 12 qarqe në 6 rajone. Ai tha se dhe pse pjesëmarrës në sallë, bazuar mbi këto argumente, vota e tij do të jetë kundër.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





