Nga BUJAR QESJA

Jam në sfidë me veten, për të çfrytëzuar të gjitha avantazhet që më jep koha, për të mos rreshtur së shkruajturi për traditën e sporteve. Durrësi ka histori të madhe në të gjitha sportet, por veçanërisht në not. Sportet e ujit për durrsakët, janë më shumë se oksigjeni për mushkëritë, janë vetë historia dhe identiteti i tyre. Kjo nisur që nga viti 1930 me Taq Dafën, i cili i ka merituar të gjitha nofkat si Tarzani i notit, ujku i detit, luani, gjigandi, kampioni i madh etj.

Kemi rezultate nga më të mirat për kohën, pa ulur vlerat e rivalëve tanë. Kam qendruar, folur e biseduar me shumë notarë të hershëm dhe të rinj, por në këtë rast më duhet të godas memorien, për ta vënë në punë dhe të na tregoj fuqinë apo mrekullinë e notimit durrsak. Durrësi dhe noti! Durrsakët dhe notimi! Mjaft binomë mund të krijohen këtu dhe që të gjitha të çojnë në një përfundim: mrekullia durrsake e notimit, fuqia gjithnjë e pazbehur e konkurencës, për të mbajtur gjithnjë të pastër kostumin e kampionit.

Jam ulur gjunjë më gjunjë me vëllezërit Kapexhiu Shaqirin, Sabriun dhe Syriun, me Burhan Trumën e Koçi Afezollin, me Spiro Urumin dhe Ilmi Kapllanin, me Zyhdi Marën dhe Eqerem Korrën, me Agron Ismailatin dhe Niko Koranin, me Kastriot Karamuçon dhe Shyqyri Gjepalin, me Petrit Gumën dhe Jani Kurtin, me Fatmir Kërçikun e Shpëtim Bejkon, me Luan Rexhën dhe Shpëtim Daminin, me Hysen Haxhinë dhe Kostandin Mingën, me Shuaip Rexhën dhe Arben Rrogozhinën, me Tatjana Sheshminin dhe Gentjana Bletën, me Alida Lekën dhe Dhurata Gjonin, me binjaket Valbona dhe Viola Bekridheli, me Eglantina Golemin dhe Drita Tiranën, me Xhevdet Mitrakun dhe Skënder Kuranin, me Bashkim Dakolin e Jurgen Ficin, e lista shkon gjatë, shumë gjatë.

Krahas këtyre, kemi patur edhe një Meriban Kadiu, apo Mirban Kadiu, apo Boni i jashtëzakonshëm i notit. Meritat e tij janë të mëdha, sepse i është dashur që krahas notimit deri në moshën 80 –të vjeçare, të punoj fort, me merak të madh për historinë e notit në Durrës. Dhe po evidentove notin durrsak, aty brenda ke edhe notin kombëtar. Durrësi është peshë e rëndë e notit. Të gjitha rrugët të çojnë në këtë qytet, ku noti mbetet medalja e artë e merituar, e mbushur me kupa djerse nga shumë e shumë breza.

Është rasti të ngrejë me forcë të madhe, se Mirban Kadiu arriti të bëj me shpenzimet e veta personale, historikun e notit. Kaseta e kaseta të rregjistruara në sa e sa veprimtari, që tregojnë për portrete të gjalla të notit durrsak. Një veprimtari të tillë, e organizuar në ish Klubin e Gjuetarëve me 19 shtator të vitit 2014, Mirban Kadiu i është përkushtuar në raporte historike, me kujdesin e prindërit për fëmijën. Ai ishte lidhur me mua për të vetmin shkak, për të më mbajtur afër, që të prekja mesa të mundja historinë e notit durrsak, nëpërmjet protogonistëve të tij.

Federata Shqiptare e Notit, presidenti i saj Agim Çiraku, sekretarja Suela Haxhia ishin të bindur se notit durrsak, që janë rrënjët më të fuqishme të notit kombëtar, meriton të vlerësohet e çmohet me notat maksimale. Dhe Bon Kadiu, ishte kthyer në mbrojtësin më të flaktë, të interesave dhe historisë së notit, duke e motivuar me sa të mundej dejtuesit e Federatës.

Bon Kadiu u nda nga jeta me 29 nëntor 2018, pesë vite të shkuara. Por puna që bëri me historikun, mbetet unikale dhe e respektuar. Duhet t’i ulemi në gjunjë punës së tij pasionante, me dëshirë dhe dashuri për notin e Durrësit. Kam shkruar për të, që ka lindur me 11 qershor të vitit 1933 në det.

Është rasti i rrallë, në mos i vetmi, që një notar kaq i famshëm të lindi në det. Sa kam informacion, nuk ka ndodhur veçse me Mirban Kadiun. Deti e përkundi që në orët e para të lindjes, ashtu sikundër jetën e ndali duke mos pushuar së foluri për notin. Dhe për kë not? Atë të Durrësit dhe të durrsakëve, të cilët mbeten madhështorë në arritjet e tyre.

Nga sënduku im, nxorra katër foto të dhuruara nga Bon Kadiu. Së bashku me këtë kujtim, prekës është shkrimi i tij origjinal, por edhe dedikimet me aq ndjenjë, me aq shpirt për ata që e donin dhe e respektonin notin dhe sportet në Durrës. Në një foto lexoj:

Z. Bujar Qesja, flamurtar i reklamimit të sportit durrsak në gazetën e tij. Shumë sakrifica për Durrësin. Na nderoj në takimin e organizuar, për dy veteranët e notit durrsak Luan Rexha dhe Fatmir Kërçiku. Kjo drekë u sponsorizua, nga Kryetari i Veteranëve të Klubit Sportiv “Teuta” Meriban Kadiu. 19 shtator 2014.

Dhe në këto foto janë Presidenti i FSHN-së Agim Çiraku, sekretarja e FSHN-së Suela Haxhia, Kryetari i Shoqatës Kombëtare të Veteranëve të Notit mjeshtri Sadik Mema, notarët e vlerësuar me titullin “Mirënjohje” nga FSHN-ja Fatmir Kërçiku dhe Luan Rexha, trajneri i ekipit kombëtar dhe të “Teutës” Gjergj Ngresi, Eduard Berdaku, kuadri i mirënjohur, 14 vite në krye të Klubit Shumësportesh “Teuta” Anesti Petani, notari veteran Kujtim Dauti (Baliska) dhe gazetari Bujar Qesja.

Materiali i sapo shkruajtur, mori shkas nga përpjekjet e mëdha për historinë e notit të Mirban Kadiut, vlerësimet për dy notarët e “Lokomotivës” Luan Rexha dhe Fatmir Kërçiku, për qendrimin afër të një grupi dashamirësish, për të treguar se noti durrsak ishte, është dhe do të mbetet.