TIRANË, 28 shtator 2013 – Që në orët e para të mëngjesit të fundjavës së sotme shënohet një dukuri tektonike dhe në jug të tunelit Thirrë-Kalimash të Rrugës së Kombit (autostrada Durrës-Kukës). Më 28 shtator 2013 ora 3:20:31 GMT ose ora 5:20:31 (koha verore e Shqipërisë +2), rrjeti sizmologjik shqiptar ka regjistruar një tërmet tejet të lehtë me forcë M=1.6, me epiqendër në thellësinë 6 km. Sipas departamentit të sizmologjisë të Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit të universitetit publik Politeknik të Tiranës, dukuria tektonike ka ndodhur në fshatin Thirrë, 21 km në vijë ajrore në jugperëndim të qytetit të Kukësit në koordinatat 41.96°V, 20.24°L (shih etiketën në hartën nr. 1, pika e kuqe). “Dyrrah”-u, me anë të Google earth-it, saktëson se lëkundjet e dobëta të tokës kanë ndodhur rreth 4 km në vijë ajrore në jug të tunelit Thirrë-Kalimash të autostradësDurrës-Kukës, në territorin e komunës Fan të rrethit të Mirditës, qarku i Lezhës. Ngjarja sizmike lokalizohet në lartësinë 1 300 metra mbi nivelin e detit në afërsi të fshatrave Thirrë dhe Xhuxhë, përballë malit të Zepës me lartësi 1 987 metra mbi nivelin e detit (shih foton satelitore, shigjeta e gjelbër; hartën nr. 2, shigjeta e gjelbër dhe hartën nr. 3 sipas wikimapia-s, pika e kuqe).

Info

Komuna Fan ka në përbërje fshatrat Klos, Shtrungaj, Bisakë, Fan, Zall-Xhuxhë, Katund i Ri, Konaj, Shëngjin, Petoq, Xhuxhë, Dardhëz, Thirrë, Sang, Hebë, Domgjon, Gjakëz, Munellë. Ndodhet në pjesën verilindore të Mirditës dhe ka një sipërfaqe prej 175 km². Komuna është njësi administrative e rrethit të Mirditës, qarku Lezhë. Kufizohet në jug dhe perëndim me komunën Orosh, në veriperëndim me komunën Gjegjan dhe Fushë-Arrëz, në veri me dy komuna të rrethit Kukës. Komuna ka një territor të përgjithshëm të thyer e malor dhe ka një shtrirje veri-jug 21 km, ndërsa lindje-perëndim 9 km. Shtrihet përgjatë një lugine që rrethohet nga malet e Zepës e Munellës dhe bjeshka e Qafë-Kumbullës. Lartësia mbi nivelin e detit varion nga 2500 m mbi në fshatin Shtrungajë deri në 1992 m në malin e Munellës. Lidhet me qytetin e Rrëshenit nëpërmjet rrugës automobilistike Fan-Reps-Rrëshen e gjatë 45 km. Rrjeti rrugor kap një gjatësi prej 84 km me një sipërfaqe prej 125 km². Këtu kalon dhe rruga Durrës-Morin, ku në fshatin Thirrë ndodhet hyrja e tunelit Thirrë-Kalimash me gjatësi 5,6 km.

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/