Koncensioni për ndërtimin e dy HEC-eve mbi lumin e Urakës në Selitë të Mirditës ka ngritur në protestë banorët e zonës, të cilët kundërshtojnë vendimin e këtyre projekteve që dëmtojnë rëndë natyrën dhe të gjithë ekosistemin e kësaj zone.
Sipas banorëve, vendimet për ndërtimin e HEC-eve janë marrë dhe nënshkruar në mungesë dhe transparencë të plotë me komunitetin vendas, ndaj janë të vendosur në rezistencën e tyre për të penguar zbatimin e këtyre projekteve.
Ish-kryetari i Komunës Selitë, Viktor Gjikolaj, thotë se në këtë zonë janë dhe 5 Monumente Kulture dhe ndërtimi i HEC-eve mbi lumin Urakë dëmton rëndë turizmin, ndërsa shton se çështjen do ta referojnë në gjykatë.
Përgjatë lumit të Urakës janë disa kanione, ndërsa në të ka dhe peshk të llojit troftë. Komuniteti i kësaj zone ka nënshkruar edhe një peticion, i cili do t'ju dërgohet institucioneve për të ku kërkohet anulimi i këtyre koncesioneve. Në mbështetje të tyre ka dalë edhe Dioqeza e Rrëshenit.
"Zoti na ka dhanë natyrën, lumenjtë e detet, nuk mund dhe nuk duhet t'i përçudnojmë. I bëj thirrje shtetit që të mos lejojë të përsëriten gabimet që janë bërë mbi Fan apo në Valbonë a kudo tjetër. Zëri i komunitetit selitas që jeton aty me shekuj duhet të dëgjohet. Unë jam me ta e do të jem gjithmonë në mënyrë që Uraka e bukur të mbetet sikurse e ka bërë Zoti." ,shkruan ipeshkvi Gjergj Meta në Facebook.





