Mbetet ende mister fati i shefit të Sigurisë, Arjan Salaj që dyshohet se ka mbetur brenda magazinës se qendrës tregtare në Tiranë që u përfshi nga flakët prej pasditës së djeshme.

Zjarrfikësit nuk kanë gjetur ende asnjë gjurmë të të riut, ndërsa familjarët kërkojnë drejtësi. Mes lotësh, babai i tij tregon edhe bisedën e fundit telefonike që ka zhvilluar me djalin.

“Unë dua drejtësi për çunin që ka dy ditë brenda në tunel. Për herë të fundit kur fola më tha “mirë ju gjetsha në darkë”.“, tha ai.

Zjarri në magazinën e qendrës tregtare ra pasditen e djeshme, ndërsa sot ka pasur prani të madhe të tymit. Ndërkohë, ka dyshime se mund të ketë edhe persona të tjerë që kanë mbetur brenda ambienteve, ndonëse Policia e Shtetit e ka mohuar diçka të tillë.