Mirela Bogdani, një emër i njohur në politikën shqiptare, sot aktiviste në strukturat e Frymës së Re Demokratike, (FRD) tregon sesi e frymëzoi Baronesha Margaret Thatcher për zgjedhjet politike në jetë. Në studimet në Britani, Bogdani sot pedagoge në Universitetin e Tiranës bëri me dije në rubrikën ‘Opinion” tek studio e lajmeve të News24 se “politikat e Thatcher” tek britanikët jepen si leksione në universitet.

“Jam njohur me punën e veprën e saj në Britani, dhe kur kam studiuar në Angli studioja politikat Thatcher-iane, nisi aty fashionimi me politikat e ‘Zonjës së Hekurt’.

E kam takuar personalisht për herë të parë në vitin 2005. Dy herë në jetë e kam takuar dhe ka ndodhur gjatë eventeve, pasi u anëtarësova në partine konservative britanike. Është një parti, ku grupimi i njerëzve aty etiketohet si grup me ideologji të djathtë. Gjeja veten në këtë grup, dhe kur mora vesh se presidente e grupit ishte baronesha Thatcher u anëtarësova me shumë dashuri në këtë grup. E kam idhull Thatcher, nëse adoleshentët prisnin figura dhe postera me të adhuruarit në muzikë e kinema, unë isha tek Thatcher”.

Sipas Bogdanit, ajo vlerë që Thatcher vlerësonte ishte meritokracia ndërsa emri ‘Zonjë e Hekurt” ishte një vlerësim që ia bënë armiqtë.
“Një figurë femër me atë arritje që pati dhe ishte rast unikal në Europë derisa u zgjodh Merkel, por vijoi ta mbajë këtë emër në Britani. Asaj ja vunë armiqtë ‘Zonja e Hekurt’, një gazetë e Bashkimit Sovjetik e etiketoi kështu dhe asaj i pëlqeu etiketimi por them se ishte dhe e meritoi plotësisht atë emër. Kishte vlera ku unë gjej veten sot. Femër kurajoze me principe shumë të forta që nuk bënte kompromise. Një gjë që kur e merrte përsipër e conte deri në fund dhe vlerësonte gjithmonë në bazë të meritave. Asaj iu desh të bënte disa politika radikale, të ashpra për kohën dhe ndaj u fut në disa konflikte. Një gjë që ajo vlerësohej ishte i bënte të gjitha për Britaninë dhe bëri disa gjëra që duhet të kesh kurajo. Ka mbetur shprehja, rrallë gjen një burrë me kurajën e Thatcher, jo më një grua”.

“Takimi i dytë, ishte një ëndërr që realizohet rrallë. Njeri i vështirë për ta takuar se që në vitin 2002 ishte e vështirë ta takoje, pasi ajo ndërpreu deklaratat dhe e kapi amnezia, probleme me kujtesën afatshkurtër dhe ajo vetë nuk donte të konfrontohej me median. Gjej principe të miat aty dhe ndodh një afeksion pastaj kur e takon e njeh më shumë”, rrëfen Bogdani.

Sipas zonjës Bogdani, meritokracia dhe demokracia e brendshme, këto vlera që Thatcher i vlerësonte në maksimum, janë ende utopi në politikën shqiptare.

“Por parim bazë, që është parim i konservatorëve ishte meritokracia në cdo gjë dhe them se çdo organizatë e çdo vend ka shance të bëhet nëse bazohet tek meritokracia. Tek ne mbetet ende koncept alien. Në 7 vite që kam ardhur nga Anglia ky koncept këtu duket utopik. PS e PD duken parti si kope me dele. E kam thënë që 15 vjet para që mungon demokracia e brendshme. Është një lider që përfaqëson kryetarin dhe ca dele që i shkojnë nga pas. Kur nuk kanë këto dy parti të mëdha demokraci të brendshme, imagjino të tjerat. Shoh që aty nuk bëhet përpjekje për demokraci të brendshme, nuk e di si bëhet vlerësimi nga njerëzit. Për mua meritokracia është thembra e Akilit, dhe FRD është një parti ku un shoh parime e principe si ato që jam edukuar”.