Mirela Bogdani është zgjedhur kryetare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë me 10 vota pro.
Ky vendim ka hyrë në fuqi menjëherë ditën e sotme, 7 qershor 2024.
Mirela Bogdani ishte kandidatja e vetme për të marrin drejtimin e këtij institucioni të drejtësisë. Teksa prezantoi platformën para anëtarëve të KLP-së, Bogdani tregoi ambicien për të rritur kapacitetet logjistike, për të reformuar sistemin gjyqësor dhe rritur bashkëpunimin me ndërkombëtarët.
Platforma e kandidates Mirela Bogdani:
Fryma e kolegjialitetit në një institucion që drejtohet bashkarisht nga 11 Anëtarë. Filozofia ime e drejtimit, bazuar edhe në eksperiencën e fituar në drejtimin e Komisionit të Përhershëm për dhënien e gradës shkencore ‘Doktor’ në Fakultetin e Drejtësisë prej rreth 3 vitesh, si dhe në angazhimin përgjatë gjithë përvojës sime akademike dhe profesionale në komisione të ndryshme, Senatin Akademik të UT, Bordin Këshillimor të HELP – Human Rights Education for Legal Professionals, projekte të asistencës, etj., ka qënë dhe do të vazhdojë të mbetet ajo e një ‘primus inter pares’- i parë ndër të barabartësh qoftë sa i takon funksionimit të Këshillit, ashtu edhe në raport me administratën dhe aparatin e tij.
Në këtë kontekst, rolin dhe përgjegjësitë e drejtuesit të Këshillit i vlerësoj më shumë si angazhime të karakterit koordinues, administrativ dhe përfaqësues me institucionet e tjera të sistemit të drejtësisë, organizatat partnere, median dhe shoqërinë civile, të cilat natyrisht do të para-koordinohen me të gjithë anëtarët e Këshillit, dhe do të reflektohen në trajtën e përmbledhjeve në mbledhjet plenare të Këshillit apo edhe në takimet e përjavshme të tij.
Fryma e bashkëpunimit dhe koordinimit me Partnerët ndërkombëtarë, kryesisht projektet e asistencës teknike OPDAT dhe EU4JUSTICE, të cilët kanë asistuar punën e Këshillit që në ngjizjen e tij dhe kanë vazhduar mbështetjen në vijimësi, bashkëpunimin edhe me të gjitha institucionet e sistemit të drejtësisë, koordinimin e punës me zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, me KLGJ, Shkollën e Magjistraturës, me ILD, Kuvendin, etj.
me Prokurorin e Përgjithshëm si një nga dy pjesët integrale të sistemit të menaxhimit të Prokurorisë, lidhur me konsultimin e vazhdueshëm në hartimin dhe përmirësimin e akteve ligjore dhe nënligjore; bashkërendimin e punës në përmirësimin e infrastrukturës të zyrave të prokurorive; rritjen e bashkëpunimit lidhur me realizimin e procedurave të rekrutimit të nëpunësve civilë të prokurorisë, etj.
-me KLGJ, në kuadër të shkëmbimit të eksperiencave, nxjerrjes së akteve të përbashkëta të kërkuara nga legjislacioni, bërjes së propozimeve për ndryshime dhe
-plotësime të legjislacionit sektorial, konsolidimit të eksperiencës së gjykimeve me karakter disiplinor, zhvillimit të mbledhjeve të përbashkëta, etj.
-me ILD në kuadër të diskutimit dhe zgjidhjes së problematikave që mund të dalin në kuadër të procedimit disiplinor, propozimeve për ndryshime të kuadrit ligjor, propozime të mundshme për inspektime tematike, etj.
-me Shkollën e Magjistraturës për të rritur cilësinë e trajnimeve dhe ekspertizës për çështje që lidhen me të gjitha fazat e hetimit, përfshirë dhe mbrojtjen përpara gjykatës, për gjetjen e modaliteteve për rritjen e cilësisë së kandidatëve për prokurorë në Programin e Trajnimit Fillestar.
Nxitja dhe bashkërendimi i punës në Këshill për plotësimin dhe rishikimin e kuadrit nënligjor që kërkohen nga legjislacioni sektorial si: ndryshimet e diskutuara tashmë të Rregullores së Vlerësimit etik dhe profesional të prokurorëve në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, Rregullores së vlerësimit të prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme, si dhe të gjitha aktet e tjera nënligjore detyrime që rrjedhin nga ligji dhe të pasqyruara edhe në Rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë. Gjithashtu, sa i takon përmbajtjes së programeve të formimit vazhdues, do t’i kushtoj kujdes të veçantë kontributit të Këshillit për pasurimin e programit tematik, si dhe organizimit të aktiviteteve trajnuese të Programit të Formimit Vazhdues për prokurorët. Njëkohësisht, do të rishikohet Rregullorja për marrëdhëniet e KLP-së me median duke reflektuar standardet dhe praktikat e mira evropiane, në bashkëpunim të ngushtë me grupet e interesit dhe shoqërinë civile.
Nxitja e procesit të vlerësimit etik dhe profesional të prokurorëve, i cili është iniciuar me miratimin e Rregullores përkatëse, por që ka hasur në vështirësi të njohura tashmë nga të gjithë anëtarët; vijimi i bashkëpunimit me misionet asistuese (EU4JUST dhe OPDAT), si dhe me ekspertë të huaj mbi identifikimin dhe ndryshimet e mundshme ligjore dhe nënligjore lidhur me këtë element kyç të statusit të prokurorit; alokimi i burimeve njerëzore të specializuara në funksion të procesit të vlerësimit.
Nëse do të kem besimin tuaj për drejtimin e Këshillit, do të synoj të rris nivelin e kapaciteteve njerëzore dhe tekniko-logjistike në drejtim të një mentaliteti të ri për
-forcimin e integritetit dhe profesionalizmit të organit të prokurorisë, nëpërmjet zbatimit të kritereve të meritokracisë, profesionalizmit, zhvillimit dhe progresit individual në punë, zbatimit dhe përshtatjes së standardeve ndërkombëtare dhe praktikave më të mira të vendeve të ndryshme, për një ushtrim të plotë dhe më të përshtatshëm të rolit kushtetues të institucionit të prokurorisë që është mbrojtja e interesit publik në ushtrimin e ndjekjes penale.
Natyrshëm kjo do të ndikojë edhe në mbrojtjen dhe garantimin më të mirë të lirive dhe të drejtave të qytetarëve, duke filluar nga e drejta për jetën dhe të gjithë të drejtat e tjera që garantohen si nga KEDNJ, ashtu edhe nga legjislacioni penal material, si dhe do të rrisë efiçencën në luftën kundër kriminalitetit në përgjithësi dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në mënyrë të veçantë.
Kjo do të mund të arrihet kryesisht nëpërmjet trajnimeve për çështje specifike penale, në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës dhe me ekspertë ndërkombëtarë, përmes elaborimit të legjislacionit penal në fuqi, edhe në referim të praktikave dhe jurisprudencës të GJEDNJ ku, KLP-ja do të ketë rol të rëndësishëm në përzgjedhjen e tematikës së trajnimeve dhe aktiviteteve profesionale, si dhe në përzgjedhjen e trajnerëve/ekspertëve të fushës.
Gjatë eksperiencës sime profesionale kam konstatuar se ka disa studime apo manuale që përmbledhin standarde ndërkombëtare dhe jurisprudencë të GJEDNJ-së të cilat, evidentohen nga magjistratët tejet të dobishme në njohjen dhe zbatimin e tyre në punën e përditshme. Për këtë qëllim do të kontaktoj me donatorë (kryesisht projekte të Këshillit të Evropës për efiçencën në sistemin e drejtësisë) që kanë kapacitetin dhe infrastrukturën e nevojshme logjistike për t’i përkthyer dhe përshtatur në gjuhën shqipe.
Rritja e nivelit të kapaciteteve njerëzore dhe tekniko-logjistike të KLP, nëpërmjet krijimit të mundësive dhe nxitjes së stafit për t’u trajnuar në vazhdimësi, në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës dhe donatorë të tjerë. Ky objektiv i arrirë rrit efektivitetin e punës së vetë Këshillit.
Zgjerimin e njohurive dhe diskutimeve për çështjet e etikës në ushtrimin e detyrës së prokurorit, për një informacion më të plotë e të detajuar lidhur me integritetin e figurës së prokurorit dhe staturën institucionale të tyre në ushtrimin e ndjekjes penale. Aktualisht, në legjislacionin shqiptar çështjet që lidhen me integritetin dhe llogaridhënien e funksionarëve të sistemit të drejtësisë rezulton të adresohen në një sërë ligjesh, duke e bërë disi të vështirë zbatimin e menjëhershëm të tyre, ndaj do të synoja të punoja për hartimin e Manualeve shpjegues dhe përmbledhës për çështjet që lidhen me integritetin dhe etikën e magjistratëve, përfshirë këtu edhe legjislacionin administrativ për zbatimin e tyre; edhe me miratimin e Kodit të Etikës për Prokurorët, natyrshëm, do të përballemi me sfida për zbatimin dhe interpretimin e tij.
Mbështetja e procesit për krijimin dhe vënien në funksionim sa më shpejt të sistemit të integruar të menaxhimit të çështjeve, proces i cili tashmë ka filluar nga Prokuroria e Përgjithshme, në përputhje me metodoligjinë e CEPEJ, i cili do të përmbajë të dhëna të të gjitha procedimeve penale, që në fazën fillestare të tyre nga policia, prokuroria deri në vijimin e tyre në gjykatë, në të gjitha nivelet.
Ky proces kërkon një bashkërendim pune me KLGJ, MD, me asistencën teknike të partnerëve EU4JUSTICE dhe OPDAT. Digjitalizimi i të dhënave dhe shkëmbimi i i tyre me institucionet e tjera ndikon drejtpërsëdrejti në shkurtimin e kohës së marrjes së shërbimeve dhe rritjen e cilësisë së informacionit, përfshirë këtu edhe aksesin në institucionet e drejtësisë, si dhe duke krijuar më shumë hapësirë për rritjen e performancës së tyre profesionale
-e kohës do të dalë e nevojshme ruajtja e të dhënave në një sistem për shkak të rritjes së numrit të çështjeve që do të trajtohen në të ardhmen, sidomos ato lidhur me vlerësimin e prokurorëve dhe me emërimet, transferimet, disiplinimet, etj.
-Rritjen e bashkëpunimit me institucionet homologe të huaja në rajon e më gjerë, nëpërmjet organizimit të takimeve dhe aktiviteteve ku shkëmbehen eksperiencat, vizitave studimore, trajnimeve vazhduese për tematika specifike që institucioni i prokurorisë mund të ketë më tepër interes, etj.
-Vazhdimi dhe forcimi i marrëdhënieve me partnerët e huaj në vendin tonë, si në kuadër të marrjes së ndihmës dhe eksperiencës nga pikëpamja ligjore ashtu edhe logjistike.
Rritjen e transparencës në veprimtarinë e KLP-së sidomos:
-Në mënyrën e informimit të publikut lidhur me vendimarrjen e detajuar të saj dhe arsyetimin e vendimeve, në reflektim të detyrimeve kushtetuese dhe ligjore;
-Në raport me mediat;
-Në raport me shoqërinë civile dhe aktorë të tjerë të fushës.
Aktualisht kuadri ligjor parashikon vlerësimin e çështjeve që do të shqyrtohen në nivel KLP nga Komisionet përkatëse si dhe nga një relator – ky proces rrit cilësinë e akteve dhe ofron garanci për rritjen e transparencës si në nivel komisioni edhe në nivel KLP, por jo gjithmonë ky proces ‘i brendshëm’ i KLP-së reflektohet i plotë dhe i qartë për publikun në momentin e diskutimit dhe shqyrtimit nga KLP.
Një rol të rëndësishëm synoj t’i kushtoj rritjes së kapaciteteve të Prokurorëve të Medias, duke vlerësuar mundësinë që ata të marrin trajnime periodike për standardet e raportimit të çështjeve të prokurorisë në media, për komunikimin me median dhe publikun, për hartimin e deklaratave profesionale të përmbledhura për shtyp, si dhe një sërë çështjesh që lidhen me lirinë e shprehjes në raportimet gjyqësore. Këto trajnime do të synoja t’i zhvilloja edhe me prokurorët e tjerë që të jenë plotësisht të informuar rreth këtyre çështjeve, nëse do të vihen në kontakt me median apo publikun për çështjet që ndjekin. Gjithashtu, do të synoja të krijoja praktika të konsoliduara të takimeve dhe raportimeve periodike të prokurorëve të medias për të ndarë eksperiencat e tyre dhe unifikuar qëndrimet.