·        Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare do të realizojë shpronësimin me vlerë 1,2 milion euro të pronarëve të truallit ku do të ndërtohet Muzeu i Bashkëjetesës në kryeqytet

DURRËS, 20 nëntor 2014 –  Specialistët e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës, që mbulon dhe kryeqytetin, po punojnë për mirëmbajtjen dhe pastrimin e mozaikut të Tiranës.

Ky mozaik ka një rëndësi shumë të madhe jo vetëm për teknikën në të cilën është ndërtuar, por është edhe një monument i cili e pasuron edhe më shumë historinë e qytetit të Tiranës, duke e zhvendosur më shumë në kohë datimin e saj. Arsye tjetër është se, në kuadrin e turizmit ky monument është plotësisht i vizitueshëm në çdo stinë të vitit. Kurse punimet e mirëmbajtjes, që po kryhen në amfiteatrin romak të Durrësit konsistojnë në zëvendësimin e shkallëve të drurit në mjediset e jashtme, veshje me dërrasë në mjediset e jashtme, pasi ishin të amortizuara,si dhe vendosjen e koshave dekorative, etj. Ndërkohë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të 19 nëntorit 2014 u miratua Vendimi “Për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga zbatimi i projektit “Ndërtimi i Muzeut të Bashkëjetesës”. Shpronësimi të bëhet në favor të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës. Pronarët e pasurisë së paluajtshme, që shpronësohen, do të kompensohen në vlerë të plotë sipas masës përkatëse, për pasurinë “truall”, me një vlerë të përgjithshme 173 091 780 lekë (1.2 milion euro).

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/