Zona turistike nga Shkëmbi i Kavajës deri në Qerret po furnizohet me një grafik të përmirësuar të furnizimit me ujë të pijshëm. Ujëmbledhësi i Manskurisë i ka pakësuar prurjet për shkak të thatësirës, por Ujësjellës Kanalizime Rajoni Durrës ka punuar gjatë ditëve të fundit për të shfrytëzuar me eficencë sasinë e ujit që vjen në këtë rezervuar.

Disa vite më parë, diga e rezervuarit pësoi dëme për shkak të tejmbushjes së rezervuarit në stinën e reshjeve dhe në atë kohë u hap një kanal emergjence që shkarkonte ujin e tepërt, në mënyrë që të mos rrezikohej diga. Praktikisht kjo sasi uji nuk shfrytëzohej siç duhej dhe me anë të një investimi me fondet e UK Rajoni Durrës u mundësua mbledhja e ujit, vendosja e një pompe zhytëse si dhe linja e re transmetimit 140 mm që mundëson dërgimin e kësaj sasie uji tek vaskat e përpunimit dhe filtrimit të tij.

Elektropompa me fuqi 47 kilowat ka kapacitet që të dërgojë në stacion 260 m3 ujë në orë dhe kjo gjë ka bërë që të përmirësohet ndjeshëm furnizimi i gjithë zonës turistike me ujë. Tashmë është rritur orari i furnizimit me ujë të pijshëm duke përballuar mjaft mirë kërkesat në rritje të zonës turistike, e cila tashmë gjendet në pikun e sezonit turistik.